Kryeministri Rama, në panelin e ndarjes së çmimit prestigjioz “Karlspreis”, theksoi rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Kur më pyesin se çfarë plani ka Shqipëria, i them që nuk ka plan tjeter veç BE-së. Nuk jemi naivë, por jemi idealistë për BE, sa dashuria e dikujt për martesën para se realisht të martohet, madje edhe kur vjen fjala për atë që Evropa gjendet në një moment ku bëhet apo zhbëhet”, tha Edi Rama.

Rama përmendi frytet e reformës që ai ndërmori në drejtësinë shqiptare.

“Është hera e parë në histori që kemi politikanë të fuqishëm që shkojnë para një prokurori e gjyqtari të pavarur. Kurrë s’ka ndodhur qysh nga 1912 deri kur ne e finalizuam reformën në drejtësi. Kurrë s’kishim parë një ministër apo individ të profilit të lartë të lidhur me pushtetin politik, të çohej para gjykatës e jo më të dënohej”, tha Edi Rama.  

Kryeministri theksoi rëndësinë e lidhjes mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

Amerika pa Evropën është një ishull, Evropa pa Amerikën është një gadishull. Për mua së pari jam në një pozitë shumë të rehatshme sepse nuk jam gjerman dhe nuk më duhet të gjej zgjidhje për botën, jam një kryeministër i një vendi të vogël. E di që nëse unë e kam gabim askush nuk do të dëmtohet, por nëse udhëheqësit e Evropës do ta kenë gabim, të gjithë ne do të dëmtohemi”, tha Rama.

Rama u bëri thirrje udhëheqësve evropianë për një politikë të qëndrueshme në zhvillimin dhe paqen, dhe jo në forcën ushtarake.

Klan News