Cilësia e teksteve dhe mungesa e trajnimit të mësuesve, ishin çështjet më të debatuara në fazën e dytë të “Dialogut me Shqipërinë” të zhvilluar në qytetin e Vlorës. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, u njoh me shqetësimin e arsimtarëve për tekstet alternative që sipas tyre janë të shkëputura nga programi.

Edi Rama: “Nuk bëhet fjalë fare për standarde, është rënë dakord për tekste alternative dhe kjo është një gjë e mirë, por ende nuk ka standarde të përmbajtjes, nuk ka standarde të arritjes, pra ku duam të arrijmë ne me një kapitull, apo me një kapitull tjetër dhe nuk ka standarde të vlerësimit.”

Gjatë bashkëbisedimit me mësuesit kryesocialisti Rama theksoi, se selia rozë do të ndërtojë një sistem arsimorë që të mos lejojë deformimin e dijes.

Edi Rama: “Më kujtohet që një zonjë u çua dhe tha, më erdhi djali i vogël në shtëpi duke qarë sepse në lëndën e diturisë kishte mësuar se nuk kishte lindur në pranverë siç i kisha thënë unë po kishte lindur në dimër, sepse në tekstin e diturisë thuhej që dimri është Janar, Shkurt, Mars.”

Kreu socialist shprehu bindjen se kontributi i njerëzve të sektorit të mësimdhënies do të përkthehet në një program që do të hapë një rrugë të re në fushën e arsimit.

Valentina Leskaj: “Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar sot një nisëm ligjore në parlament, e cila mundëson lehtësimin e arsimit nga tvsh-ja pra për të dy sektorët. Nëse kjo nisëm nuk do të votohet Partia Socialiste me të ardhur në pushtet do të ketë një nga prioritetet e saj, pra nismën dhe ndryshimin e ligjit, për të mundësuar përjashtimin e arsimit nga tatimi mbi vlerën e shtuar.”/tvklan.al

Gazetare: Ornela Hila