Kryeministri Rama shpreh bindjen e plotë se Shqipëria do të anëtarësohet brenda 2030-ës në Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë ndodhet në Nju Jork, ku sot rinis turin “Krenar për Shqipërinë”. Takimi me shqiptarët do të zhvillohet në orën 11 me atë lokale, ose 17 me orën e Shqipërisë.
“Në New York për takimin me shqiptarët e Amerikës; Krenar për Shqipërinë që sot përflitet me fjalë të mira kudo në botë dhe plotësisht i vetëdijshëm për sfidat e jashtëzakonshme të rrugës drejt majës së 2030, kur me fuqinë e bashkimit tonë përtej gardhit të sherrnajës së oborrit politiko-mediatik të Tiranës, do të ngremë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian.”
Në mesazhin e tij para takimit me shqiptarët, Rama i kujton diasporës garantimin për të votuar nga jashtë.
“E shtunë 26 Tetor, në të parin takim pas vendosjes të së drejtës së çdo shqiptari jashtë Shqipërisë, për të zgjedhur drejtimin dhe udhëheqjen e vendit për katër vitet e ardhshme duke votuar nga aty ku banon jashtë atdheut.”
Ne New Jork pritet të marrin pjesë rreth 2 mijë shqiptarë dhe nuk do të mungojnë këngetarët në nisje të takimit. Fjalimet e konfirmuara janë ato të drejtuesit politik të diasporës, Taulant Balla dhe Kryeministrit Rama.
Në datën 3 Nëntor, kreu i qeverisë do të jetë në Greqi për takimin e radhës me shqiptarët. Kësaj radhe, takimi do të zhvillohet në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, Selanik. Ndryshe nga takimet e Majit në Athinë dhe Milano, formati do të jetë më i ngushtë, takimet do të zhvillohen në holle hotelesh dhe jo në stadium.
Klan News