Monumenti më i madh i kulturës shqiptare e cilëson kryeministri Rama, Ismail Kadarenë. Në mesazhin për ndarjen nga jeta, kreu i qeverisë ka risjellë urimin e publikuar për ditelindjen e shkrimtarit të madh.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.
Kryeministri falenderoi kadarene duke i shprehur mirënjohjen.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti.
Kryeministri vlerëson Kadarenë edhe për përkthimin e Majakovskit që e cilëson, gjeniun vullkanik të poezisë ruse. Në fund Rama e mbyll mesazhin e tij me fjalët: Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më.
Për ndarjen nga jetë të Kadaresë, ka shkruar dhe presidenti i Bajram Begaj. Ai shkruan se Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.
Sali Berisha e cilësoi Kadarenë si avokatin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë.
“Ai pas largimit nga Shqipëria, nga mërgimi në Paris mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri”, shkruan Berisha.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë theksoi se zëri i fuqishëm letrear i Kadaresë, i përkthyer në 45 gjuhë, bëri jehonë në të gjithë Evropën dhe më gjerë.
Letërsia e Kadaresë shkruan Ambasada Amerikane, frymëzonte lexuesit në mbarë botën. Selia diplomatike thotë se puna e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjeniut të tij letrar.
Reagime për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë kanë ardhur dhe nga Kosova. Presidentja Osmani thotë se i gjithë populli shqiptar është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës.
Klan News