“Të nisë blerja e apartamenteve stok, të negociohet për çmimin”
Kryeministri ka urdhëruar verifikimin e hipotekës për të gjitha zonat dhe pronat ku priten të ngrihen lagjet e reja për banorët e prekur nga tërmeti. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Rama u bëri thirrje për blerjen e apartamenteve stok, ku kërkoi nga pronarët çmime të ulëta.
Kryeministri Rama ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të verifikojnë dokumentacionin për tokat apo pronat ku priten të ndërtohen lagjet e reja për banorët e prekur nga tërmeti. Ai theksoi se KÇK ka vepruar gjate periudhës së emergjencës pas tërmetit.
“Të përfshihet enti i banesave në procesin e rindërtimit i lidhur me fondin. Drejtuesi i Entit duhet të vihet në dispozicion të programit. Duhet të integrohet në programin e rindërtimit. Fondi me bashkitë duhet të përgatisë raportin me të dhënat në zonat ku do ndërtohet. KÇK ka bërë të veten kur ne kemi bërë punë të tjera dhe duhet verifikuar me hipotekë çdo pronë. Që të mos shohim në hartë një pronë shtet. Raporti duhet të jetë gati javën e ardhshme me të gjitha të dhënat”.
Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, kryeministri Rama theksoi se një zgjidhje për të pastrehët është dhe blerja e apartamenteve stok. Për këtë ai kërkoi çmime të ulëta nga pronarët e pallateve.
“Po përgatitet edhe thirrja për të dhënë leje për blerjen e apartamenteve. Çështje e pak ditëve. Është e rëndësishme të informohet publiku me një thirrje për ata që kanë apartamente stok me një çmim të ulët. Do marrim çmimin më tavan të ulët që do të përcaktojmë, përndryshe nuk do të procedojmë. Nuk është rasti për të blerë apartamente në funksion të fitimit të firmave”.
Qeveria pritet t’i kërkojë Parlamentit shtyrjen e periudhës së gjendjes se emergjencës. Kjo ishte mbledhja e fundit e qeverisë në kushtet e jashtëzakonshmërisë. Mbledhjet e tjera do të fokusohen në zyrën e ministrit fuqiplotë, Bledi Çuçi.
Tv Klan