Kryeministri Rama ftoi shqiptarët e Greqisë të investojnë në atdheun e tyre.

“Ka plot që kthehen. E ke parë ti që iu del llogaria më mirë në fund të vitit, sidomos kur kursimet andej investohen këndej, në fshatin e tyre, për një fermë, për një agroturizëm, për një linjë përpunimi. Pensionet europiane nuk bëhen dot aq kollaj sa shkruhet një koment. Se po të jap një shembull konkret: Shumëkush thotë dua pension europian në Shqipëri, por sigurimet shoqërore i ka paguar të tëra këto vite në Greqi dhe nuk është e mundur nëse nuk mbyllim marrëveshjen e pensioneve me Greqinë, siç e mbyllëm me Italinë apo me plot vende të tjera, që të mund ti japim një pension siç e dëshiron këtu në Shqipëri”, tha Edi Rama.

Për problemin e pronave të ndërtuara pa leje, Rama fajësoi atë që e konsideron si këneta.

“Për ndërtimet e bëra në pronën e të tjerëve apo dhe në tënden, ke shumë të drejtë. Këtë e keni peshqesh nga këneta jonë që e bëri Shqipërinë lesh dhe li. Por dhe kjo hap pas hapi po vihet në vend dhe brenda kohës së negociatave me Bashkimin Europian, do ta mbyllim dhe këtë plagë të madhe që e trashëguam nga këneta jonë dhe Shqipëria 2030 nuk do ta ketë më këtë problem”, u shpreh Rama.

Rama thekson se Tirana, ka 24 orë ujë në 67% të territorit.

“Tirana, i dashur, ka 24 orë ujë në 67% të territorit dhe 17 orë ujë mesatarisht në pjesën tjetër, ndërkohë që vazhdojnë investimet, këtu në Tiranë dhe vazhdojnë në tërë Shqipërinë, ku të merremi vesh, s’ka pasur 24 orë ujë kurrë asnjëherë, as në kohën e komunizmit dhe ku sot shtohen me vijmësi zonat me 24 orë ujë, ndërkohë që kur ne morëm detyrën, askund, në asnjë zonë, nuk kishte 24 orë ujë”, tha kreu i qeverisë.

 Sipas kryeministrit, Greqia ka më shumë pleq sesa Shqipëria.

“Sa për tërë Shqipërinë vetëm me pleq, shiko se mos ka më shumë pleq Greqia sesa Shqipëria, meqë ra fjala dhe kur ti gjesh në Greqi fshtatrat e mbushur me rini, të lutem, postoji ti shohim edhe ne këtu pleqtë e Shqipërisë. Por një gjë di unë, në turizëm dhe ndërtim në radhë të parë, del më mire hesapi po të punosh këtu, se po të punosh atje”, tha Rama.

Klan News