Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje naftëtarëve që të dalin nga greva në mënyrë që të bisedojnë për shqetësimet e tyre.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka përsëritur se kjo problematikë nuk zgjidhet me presione dhe ultimatume.

Ai shton më tej se naftëtarët janë në këtë gjendje jo prej qeverisë, megjithatë këta të fundit kanë vullnetin për të lehtësuar situatën.

“Naftëtarët duhet të dalin nga greva që të bisedojmë për të mos i lënë vetëm në këtë hall që as e ka shkaktuar qeveria, as zgjidhet me presion e me ultimatume! Ne nuk kemi shkop magjik, po kemi gjithë vullnetin të lehtësojmë situatën. Me logjikë dhe solidaritet si një familje”, shkruan Rama.

Të njëjtën thirrje kreu i qeverisë e bëri edhe gjatë bashkëbisedimit me gazetarët disa orë më vonë.

“Asnjë presion, asnjë ultimatum i asnjë forme nuk funksionon me mua dhe me këtë qeveri. Në rastin e naftëtarëve të Ballshit e kam bërë shumë të qartë. Ne nuk jemi palë përballë një pale. Ne jemi faktikisht pjesë e familjeje dhe me naftëtarët nuk kemi asnjë llogari të hapur dhe llogari të mbyllur për shkak se është një marrëdhënie private. Por në kushtet kur ata kanë vështirësi të madhe dhe refuzojnë të hyjnë në programin e asistencës shtetërore jemi të gatshëm të ulemi të kuptojmë dhe të qajmë këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria dhe nuk kemi shkopin magjik që të zgjidhim gjërat me telegram.

Duhet të dalin nga greva nëse duan të bisedojnë me ne. Grevat bëhen për të sensibilizuar. Ne jemi të sensibilizuar maksimalisht nga dita 1 Me ultimatume me presione, me shantazhe, me kërcënime, me forma detyruese, me shprehje pagat pastaj ulemi flasim, më vjen keq por nuk funksionon. Më vjen keq për ata që kanë marrë këtë iniciativë se nuk është aspak e lehtë të flesh jashtë shtëpisë, por jam i gatshëm sot në sekond që të bisedojmë me ta me logjikë. Me presione nuk fitohet gjë me mua dhe me qeverinë tonë. Zero”, tha Rama.

Naftëtarët kërkojnë rrogat e prapambetura dhe rinisjen e punës në rafinerinë e Ballshit./tvklan.al