Kodi Zgjedhor që kemi është i përmirësueshëm dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR kanë këtë qëllim sipas kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” për të folur rreth Reformës Zgjedhore.
Ai u pyet nga analisti Artan Hoxha se çfarë mendon për ndryshimin e sistemit zgjedhor, një kërkesë kjo e opozitës parlamentare.
Rama tha se bëhet fjalë për një proces me dy shkallë, prandaj në fillim duhet të ketë konsensus për rregullat e lojës dhe pastaj mund të diskutohet për sistemin zgjedhor.
“Kemi Kodin që nuk e kemi të keq, është i përmirësueshëm dhe rekomandimet e ODIHR-it përmirësojnë. Ajo që e ka bërë këtë situatë këtu, se po të mos ishte kjo nuk do merreshim me aspektet psikologjike të frikës së kryetarit të opozitës, por jemi në kushtet kur Shqipëria është mirë që të mos rindahet dhe që balta të mos rifillojë të shkojë në kanalet drejt Europës dhe të arrihet një marrëveshje e të gjithëve që do të marrin pjesë në zgjedhje. Pavarësisht se opozita është në parlament një pjesë, e dimë shumë mirë që konkurrentët tanë janë jashtë parlamentit. Për respekt të konkurrencës, për respekt të votuesve të të gjitha palëve, ne po durojmë, por ne në këtë pikë e kemi thënë, unë e kam thënë me kohë, që PO hajde ta diskutojmë edhe sistemin, por kjo është një proces me dy shkallë. Shkalla e parë është detyrimi i përbashkët i të gjithëve për rregullat e lojës dhe në raport me ecurinë e zgjedhjeve, progresin e zgjedhjeve dhe me BE që të përmirësojmë Kodin me rekomandimet. E bëmë këtë, patjetër mund të diskutojmë dhe me sistemin. Ne kemi bindjet tona”, tha Rama.
Sa i përket sistemeve zgjedhore me lista të hapura, kreu i qeverisë deklaroi se sido që të jetë, në fund janë kryetarët e partive ata që vendosin për emrat e kandidatëve.
“Unë nuk mendoj se ka sistem të mirë dhe sistem të keq. Unë mendoj që të gjitha sistemet e provuara si sisteme demokratike janë demokratike. Nuk ka një sistem që ka të mira dhe të këqija. Çdo sistem ka natyrën e vet. Varet çfarë produkti kërkon. Mendoj që ata që flasin për listat e hapura si një mundësi që të transformohet komplet përmbajtja e burimeve njerëzore gabojnë. Ato që thonë se listat e hapura iu heqin kryetarëve të partive atë që është drejtpërdrejti mandati i tyre, përgjegjësia për të thënë fjalën e fundit mbi skuadrën gabojnë. Listat si të hapura, si të mbyllura, në fund i miraton kryetari i partisë. Në listën e mbyllur janë 20 veta, nga të cilët 10 fitojnë, në listën e hapur janë 20 vetë që janë me probabilitet fitoreje që të gjithë, por që të gjithë i cakton kryetari i partisë. Ata që janë në parlament sot, i ka sjellë firma e Lulzim Bshës dhe Monika Kryemadhit”, tha Rama.
Ndryshimi i sistemit, Rama: Mos u çudisni, mund të kënaqim edhe opozitën parlamentare
Kreu i qeverisë deklaroi se mund të ndodhë ndryshimi i sistemit. Kjo për faktin sepse duhet kënaqur edhe opozita parlamentare që në fund do të votojë Reformën Zgjedhore.
“Të bëjmë Kodin ta mbyllim këtë detyrim që është i të gjithëve ne për rregullat e lojës dhe për sistemin flasim. Mos u çudisni fare që kjo gjë mund të ndodhi dhe jo vetëm të flasim dhe mund të bëjmë ndonjë. Këtu ka një opozitë që është jashtë dhe që merret me komisionerë akoma, ka një opozitë që merret me sistemin. Ne mund të na duhet që t’i kënaqim të gjitha opozitat se asaj jashtë duhet t’i japim dopingun që t’i ikë frika dhe asaj brenda mundësinë që të votojë. Mos u çudisni, mund të ndodhë edhe kjo”, tha Rama./tvklan.al