Në fushatën për zgjedhjet në Partinë Socialiste, kryetari në detyrë Edi Rama po përballet gjithnjë e më shumë me kritikat e ashpra të anëtarësisë për humbjen e socialistëve në zgjedhje dhe mosrespektimin e statutit nga ana e tij.

Pas Shkodrës, debate me tone të larta ka patur edhe në takimin e Vlorës. Gjithçka ka ndodhur kur kryetari në detyrë nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve nga anëtarë të pranishëm, të cilët i kanë kërkuar llogari për situatën kaotike në të cilën është futur pas 28 qershorit, Partia Socialiste nën drejtimin e tij.

Madje Rama ka shkuar dhe më tej, duke urdhëruar largimin e disa prej tyre nga salla. Për shkak se takimi u zhvillua në frymën e ndjekur në mbledhjen asamblesë socialiste dhe në kongres pa praninë e medias, ne kemi qenë të detyruar ta bëjmë punën tonë jashtë këtij takimi. Për këtë arsye ne kemi intervistuar dy nga anëtarët e PS-së, pjesëmarrës në takim.

“Njerëzit donin të flisnin, anëtarët e partisë janë shumë të shqetësuar dhe donin të flisnin. Sigurisht nuk lejoheshin të flisnin nga vendi, duhej patjetër të kalohej moderatori me pyetje dhe përgjigje, por në salla të tilla, në shqetësime të tilla, në momente të tilla është e pamundur të përmbahesh sepse vetë mënyra e organizimit të bllokimit të fjalës së lirë në këto salla është e pa mundur të administrohet. Zhvillohen shumë debate, por më shumë ky debat degjeneroi në qëndrim agresiv të ish kryetarit dhe kandidatëve për kryetar, pasi si ushtroi presion, ushtroi masa edukimi. Pyetja ime ishte a duhet ta bashkojmë të majtën sepse unë shikoj që teorikisht flisni për bashkimin, ndërsa përçarja … është konkrete. Nuk arrita dot të marr një përgjigje sepse pastaj u debatua për mënyrën se si po komunikimin dhe nuk debatuam për atë çfarë komunikonim. Degjeneroi në atë se si të sillemi në sallë dhe jo çfarë të kërkojmë në sallë.”

Gazetare: “A pati fjalë fyese?”

“Pati deri në rrugaç.”

“Nuk na lejuan që të flisnim, salla pothuajse ishin të gjithë të bashkisë.”

Gazetare: “Çfarë fjalë fyese u përdorën nga zoti Rama në drejtim të atyre që kërkuan t’i bënin pyetje të drejtpërdrejta?”

“Ja pra u përdor rrugaç. Ka më ashtu se sa kryetari i partisë ti thotë një kryetari partie të lagjes apo të bllokut rrugaç, nuk ka fjalë më ofenduese. Rrugaç ia përmendi dy, tre herë dhe si puna jote nuk i duam ne në PS, ai djalë i ri, 20 vjeç. Domethënë ai nuk e pranon mendimin ndryshe, e shkatërron PS-në kështu .”

Gazetare: “A ndihet i ofenduar elektorati socialist kështu me këtë reagim?”

“Ndihet i ofenduar, unë kisha shumë shokë të mirë të vjetër aty dhe u ngritëm që ikëm se nuk mund të rrihej dot në atë sallë ashtu.”

Gjatë takimit mësohet se Rama ka sulmuar anëtarët e Lëvizjes për mendimin ndryshe në Partinë Socialiste, duke u bërë dhe presion se do të merren masa për ta deri në përjashtim nëse do të prishin bojkotin dhe do të futen në Kuvend.

Në fjalën e tij drejtuar socialistëve vlonjat, Rama ka ripërsëritur qëndrimin e tij edhe njëherë për të mos toleruar sipas tij manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve./tvklan.al