Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në Tiranë se zhvillimet e fundit në rajon siç ishte dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës kanë ridimensionuar rolin e shqiptarëve në Ballkan.

I ftuar nga forumi për bashkëpunim dhe etikë në diskutimin, “Sfidat e Kosovës sot dhe në të ardhmen” Haradinaj është shprehur se nisur nga këto zhvillime bashkëpunimi ndër shqiptar duhet të përqendrohet sidomos tek çështjet që lidhen me krijimin e tregjeve të përbashkëta rajonale.

Ramush Haradinaj: “Jam përkrahës i projektit për Kosovën shtet. I bindur se me këtë ne ndihmojmë lirinë tonë në Kosovë, por dhe lirinë e shqiptarëve kudo që janë, edhe kjo është një e vërtet, pastaj ne kemi interesim që së bashku në…shqiptarët, po i bashkoj pyetjet, të jemi konkretë, të bashkëpunojmë, por po ashtu ne besojmë se do të nevojitet edhe një bashkëpunim regjional qoftë edhe me ata që i ke menduar miq.”

Për Haradinaj e rëndësishme është që politikanët dhe partitë të dalin nga përllogaritjet e rëndomta elektorale dhe të prekin nga afër shqetësimet dhe zhvillimin real të shoqërive që ata përfaqësojnë./tvklan.al