Shqipëria kalon testin ndërkombëtar për zgjedhjet. Ajo çfarë bie në sy në raportin 36 faqesh të OSBE/ODHIR, është se vlerësimi i zgjedhjeve bëhet duke u krahasuar me vendet që u përmbahen standardeve më të larta demokratike si Gjermania, Italia apo SHBA. Që në hyrje OSBE/ODHIR theksojnë qarte se zgjedhjet në Shqipëri shënuan një progres të prekshëm por ato nuk realizuan plotësisht, potencialin shqiptar për t’ju përmbajtur standardeve më të larta të zgjedhjeve demokratike.
Dhe ja çfarë shkruhet në raport duke bërë një krahasim me zgjedhjet më të fundit parlamentare ato të vitit 2005 por edhe ato lokale të vitit 2007.
Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, u fituan nga koalicioni i drejtuar nga PD. Këto, dhe zgjedhjet lokale të vitit 2007 u vlerësuan se “ vetëm pjesërisht i arritën angazhimet e OSBE dhe këshillit të Evropës”.
Në ndryshim, raporti përfundimtar për zgjedhjet e përgjithshme 2009, flet qartë për standardet më të larta të zhvillimit të zgjedhjeve, me të cilat krahasohet për herë të parë vendi ynë. Dhe ja çfarë citohet shprehimisht.
Ndërsa ka arritur shumicën e angazhimeve të OSBE, këto zgjedhjet nuk përmbushen plotësisht potencialin shqiptar për t’ju përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike.
Detyrën për t’ia mbërritur këtij qëllimi raporti ua ngarkon partive politike, të cilat sikundër thuhet duhet të përmbushin detyrat zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme për të garantuar integritetin e procesit.
Raporti thekson se u shënua progres i dukshëm në administrimin e zgjedhjeve nga KQZ. Në këtë pikë raporti evidenton dhe një fakt që është shndërruar së fundmi në pjesë të debatit publik politik.
Në raport thuhet se nuk kishte asnjë dëshmi për parregullsi në numërim apo për manipulim të rezultatit dhe se nuk u vunë re parregullsi të mëdha në qendrat e numërimit të votave përveç bllokimit të numërimit në disa prej tyre.
Çështje të tilla siç janë regjistrimi i votuesve procesi i identifikimit, i hartimit të ligjit zgjedhor në rrugë konsensuale raporti vlerëson se shënuan një progres të prekshëm. Por këto përmirësime thelbësore sikundër i vlerëson raporti u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit.
Raporti i OSBE/ODHIR-it vlerëson po aq se fushata zgjedhore si dhe dita e zgjedhjeve u zhvilluan në një situate të qetë dhe paqësore. Raporti sheh si një zhvillim mjaft pozitiv hartimin për herë të parë të listave të zgjedhësve nga regjistri kombëtar i kompjuterizuar. Kjo bëri që lista të kishte përmirësime të ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e viti 2005./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi