Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Shqipëria ka ruajtur të njëjtën shkallë të korrupsionit, si një vit më parë. Sipas raportimeve të Transparency International, vendi ynë vazhdon të jetë një ndër më të korruptuarit në rajon. Vendet e rajonit që kanë shkallë më të ulët të korrupsionit se sa Shqipëria, janë Bullgaria, Kroacia, Bosnje-Hercegovina dhe Rumania. Ndërkohë që Maqedonia dhe Serbi-Mal i Zi, janë vendet e rajonit me shkallën më të lartë të korrupsionit.
Përfaqësuesi rezident i FMN në Shqipëri Jan-Peter Olters gjatë një leksioni të veçantë për studentët e fakultetit të Ekonomikut, deklaroi se transparenca me publikun, ndihmon luftën kundër korrupsionit.
Jan-Peter Olters: “Rritja e vetëdijes së publikut shqiptar dhe medias ndihmon në luftën kundër korrupsionit. Unë vë re shenja pozitive të rritjes së vullnetit të mirë për publikimin e rasteve të korrupsionit. Rasti më i fundit është ai i korrupsionit në Bankën e Kursimeve. Ky problem u njoh si i tillë, u diskutua publikisht, ndërsa tashmë kjo çështje po hetohet. Publikimi i rasteve të korrupsionit është shumë i rëndësishëm, në mënyrë që dhe qeveria e publiku të marrë seriozisht këtë çështje”.
Sipas Oltersit, lufta kundër korrupsionit duhet të nisë që tek deklarimi i financimit të partive politike, e deri tek transparenca e autoriteteve publike, në përdorimin e fondeve buxhetore./tvklan.al