Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se nuk mund të ketë marrëveshje për koalicionin për integrim nëse partitë e majta nuk tregojnë vullnet për të bërë ndryshime në jetën ekonomiko-sociale të vendit dhe kjo për përfaqësuesit e LSI nënkupton mbështetjen ndaj projektligjit për konfliktin e interesave.

Sokol Dervishaj: “LSI nuk mund të bëjë koalicione të cilat i shërbejnë një individi apo një grupi individësh, por ato lloj koalicionesh ato lloj bashkëpunimesh të cilat i shërbejnë qytetarit shqiptar dhe vendit në tërësi, d.m.th integrimit të tij dhe ndryshimit të kësaj gjendje në të cilën ne jemi.”

Vendimi i drejtuesve socialistë për të mos bërë ndryshimet në qeveri shkakton reagim tek aleatët. Paskal Milo nga Demokracia Sociale thotë, se partia qeverisëse nuk do t’i realizojë kurrë premtimet ndaj aleatëve, ndaj PDS po përgatitet për të dalë më vete në zgjedhjet parlamentare.

Paskal Milo: “Nuk do të ketë qeveri të re dhe ndryshime në qeveri as edhen fund të Janarit, kur do të mbahet kongresi i PS, Është një taktikë e PS tashmë, që të fitojë kohë, duke mbajtur zvarrë procesin e ndryshimeve në qeveri, sepse ka probleme brenda vetes së vetë dhe nuk kërkon që të shkojë akoma dhe më e përçarë në pragun e fushatës elektorale. Prandaj pse të marrim përsipër përgjegjësitë e qeverisjes është njësoj sikur të hash kumbulla dhe tjetër kujt t’i thartohen dhëmbët. Neve nuk ka pse të na thartohen dhëmbët në rast se dikush gjithë gjelin e vitit të ri e mban për vete.”/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj