Jo të gjithë sekretarët socialistë dhe drejtuesit e grupit parlamentar socialist kanë përkrahur propozimin e djeshëm të sekretarit për marrëdhenie publike, Ilir Zela. Do t’i paraqes Kongresit kandidaturën e Kryeministrit Majko për kryetar të PS-së u ka deklaruar gazetarëve Zela.
Sot sekretari koordinativ dhe kryetari i mazhorancës parlamentare socialiste Gramoz Ruçi e sheh veten jashtë këtij propozimi.
Gramoz Ruçi: Është e drejta e Ilir Zelës si anëtar i PS-së si anëtar i kryesisë apo dhe si sekretar të propozojë veten apo këdo tjetër. Por propozimi i Zelës është thjesht i Zelës si delegat i Kongresit, si anëtar i PS apo si sekretar. Nuk ka një qëndrim të sekretarëve të PS-së dhe s’kanë asnjë të drejtë sekretarët e PS-së si institucion të propozojnë kandidaturën. Është në moralin e çdo politikani pastaj që të mos shfrytëzojë postin e ekzekutivit për të fituar kredibilitet politik në postin partiak. Kjo është e drejta e tij, mënyra, metoda, stili i tij për të zhvilluar fushatë janë vetëm personale të zotit Majko. Sigurisht unë mendoj dhe gjykoj që pavarësisht që mund të ketë spekullime, spekullimet nuk do të kalojnë para urtësisë dhe zgjuarsisë së delegatëve socialistë.
Shpallja e kandidaturës së Majkos disa ditë para Kongresit është përkrahur nga Sekretari i Grupit Parlamentar Hamdi Jupe.
Hamdi Jupe: Mendoj se është një kandidaturë e përshtatshme në numrin e kandidaturave që pritet të jenë nga PS. Nuk është e thënë që çdo kandidat për kryetar të paraqesë ndryshime statutore. Zoti Majko di që dje ka shpallur për herë të parë kandidaturën. Nuk di nëse ai do të paraqesë propozime për ndryshime statutore ose jo. Kryetari i partisë normalisht duhet të jetë Kryeministër sepse ai kërkon votat e popullit pikërisht për të qeverisur popullin.
Gazetari: Keni patur një eksperiencë të tillë, keni pasur kryetarin dhe Kryeministrin ndërkohë që po e njëjta eksperiencë ishte pozitive?
Hamdi Jupe: E kemi patur dhe do ta kishim, por kryetari dhe Kryeministri u largua vetë pa ja kërkuar askush./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame