Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Vali Bizhga:- “Dua t’i them zotit Olldashi, se nëpunësit tanë hynë në sallën e komisionit hetimor me një fletëhyrje të rregullt dhe se ata nuk janë një bandë xhaketazinjsh, por nëpunës civil të shtetit shqiptar, të cilët nuk mund të paraqiten në një institucion të shtetit me bluzë sporti, siç bën deputeti Olldashi, që në mënyrë shumë sportive shkel orë e çast, jo vetëm etikën zyrtare në veshje, por dhe vetë Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin për komisionet hetimore”.

Kështu u shpreh nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Vali Bizhga, duke iu përgjigjur asaj që e quajti, si fyerje të turpshme të zotit Sokol Olldashi, drejtuar katër Drejtuesve të administratës publike. Duke iu referuar aspektit ligjor të çështjes, nënkryetarja e bashkisë së kryeqytetit, e cilësoi si një maskaradë të papranueshme për një demokraci europiane atë që po ndodh në komisionin hetimor të zotit Olldashi.

Vali Bizhga:- “Po fabrikohen prova, po manipulohen të dhëna, po falsifikohen shifra, po lexohen dënime në sallën e parlamentit shqiptar dhe ndërkohë procedurat ligjore të hetimit parlamentar janë zëvendësuar me një formë absolutisht banditeske të deformimit të të vërtetës. Kryetari i komisionit hetimor, guxon të inkriminojë një administratë të tërë publike”.

Ajo që kërkonin në sallën e komisionit hetimor katër drejtuesit tanë tha Bizhga është ajo çka kërkojmë ne, të ballafaqohemi publikisht me persekutorët tanë të veshur me imunitet parlamentar dhe të armatosur me paturpësinë e shpifësit, që nuk njeh dhe respekton asnjë ligj./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini