Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Aleksander Frangaj:- “Një kusht i rëndësishëm në detyrimet që ka Shqipëria ndaj Bashkimit Europian, në kuadër të Asociim Stabilizimit është edhe zhdukja e piraterisë televizive dhe meqenëse se zotërinj deputetët duan të merren me mediat, le të merren me pjesën që kanë detyrim ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, që i kanë votuar. Detyrimi i tyre është të bëjnë ligje, detyrimi i KKRT-së është të kontrollojë zbatimin e ligjit, detyrimi ynë është të bëjmë media”.
Drejtori i Televizionit Klan Aleksandër Frangaj në reagimin e tij të fundit, lidhur me përpjekjet që institucioni që ai drejton, po bën për zbatimin e ligjit për piraterinë televizive dhe kthimin e programit të tij televiziv në 100% të mbrojtur me të drejtat e autorit. Kjo përpjekje, e cila vazhdon që prej momentit, kur TV Klan ka marrë zyrtarisht licencën kombëtare është në fakt ndër të paktat që po zbatohet nga operatorët e medias elektronike në vend.
Me gjithë tentativat për blerje programesh, kryesisht sportive apo telenovelash, ende shumë televizione piratojnë. Por ky pozicionim i hapur i TV Klan, në një treg mediatik, ku vjedhja e programeve filmave, deri edhe reklamave është një ilegjitimitet masiv, është parë shpesh si një betejë me mullinjtë e erës. Por a është vërtetë e tillë? Jo, nëse e konsulton, rekomandimet dhe vërejtjet e Bashkimit Europian dhe Brukselit, me të cilët tashmë jemi në një dialog të vazhdueshëm në përpjekje për të përmbushur kushtet e aderimit në familjen e madhe europiane.
Televizioni Klan ka tashmë dokumentin e mbledhjes së fundit, me ekipin e monitoruesve nga Brukseli, ku ndër vërejtjes më të rënda janë ato mbi shkeljen e pronësisë intelektuale dhe piraterinë. Në pikën 3/6 të rekomandimeve, në lidhje me përgatitjet për negocimin e MSA theksohet, se në kuadër të forcimit dhe të kapaciteteve administrative shqiptare, përpjekjet më të nevojshme duket se janë edhe në fushën e pronësisë intelektuale, tregtare dhe industriale.
Raporti vëren, se zbatimi i kuadrit të përgjithshëm ligjor mbetet problematik, për shkak të mundësive të kufizuara teknike, dhe burimeve njerëzore të disponueshmë. Raporti rekomandues vëren, se shumë pak është bërë progres në mbrojtjen e të drejtave të autorit, me përjashtim ndoshta të përgatitjeve për aderimin e Shqipërisë në konventën globale të të drejtave të autorit.
Komuniteti i biznesit, organet e zbatimit të ligjit, nuk kanë ende njohuri të mjaftueshme me çështjet e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe nuk është bërë progres i rëndësishëm në fushën trajnimit të gjykatësve. Gjithashtu veprime më të vendosura dhe më efikase, sipas raportit, duhet të ndërmerren kundër piraterisë dhe falsifikimeve.
Vërejtjet e shënuara pas mbledhjes së 6-të të komitetit të përbashkët BE-Shqipëri, megjithëse mbeten vërejtje dhe ende nuk janë kthyer në rekomandime zyrtare, kanë vlerësuar se gjendja aktuale e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe lufta kundër piraterisë është e pakënaqshme. Brukseli gjithsesi ka lënë porosi, se duhet të raportohen veprimet dhe ndjekjet kundër piraterisë dhe thyerjes së të drejtave të pronësisë intelektuale./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço