Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë përsëritur edhe sot qëndrimin e Prishtinës kundër planit gjashtëpikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.

Disa orë përpara se Këshilli i Sigurimit të diskutojë për propozimin e Moon, i cili pritet t’i hapë rrugën vendosjes funksionale të misionit të BE-së në Kosovë Prishtina zyrtare tha se përgjigja ndaj raportit mbetet e njëjtë. Nuk mund të lejohet implementimi i atyre gjashtë pikave sepse shkelet sovraniteti i republikës së Kosovës.

Kemi besim të plotë në miqtë tanë, në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, tha presidenti Sejdiu. Jemi shumë të interesuar të shohim vendosjen e EULEKS-it në të gjithë Kosovën, por mbi bazën e parimeve të paraqitura në deklaratën tonë të përbashkët të 18 Nëntorit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së pritet të paraqesë propozimin e tij para anëtarëve të sigurimit. Në dokument, që iu është shpërndarë vendeve anëtare të këtij këshilli, thuhet se Moon ka marrë parasysh pa paragjykime qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës lidhur me statusin.

I pranishëm në seancë do të jetë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni. Është ende herët të thuhet nëse do të ketë një veprim konkret nga ambasadorët e Këshillit të Sigurimit apo ndonjë deklaratë mbi vendosjen e këtij misioni./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle