Pas operacionit të fundit policor në Lazarat për arrestimin e një personi shumë të kërkuar ku mbetën të plagosur dhe 4 shtetas, nga policia dhe nga banorë të Lazaratit ka dy variante të kundërta me njëri- tjetrin. Policia e Shteti vazhdon t’i qëndrojë versionit se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë qenë të detyruar të përgjigjen me të shtëna pasi janë goditur më parë nga brenda dhe jashtë lokalit ku është kryer operacioni.

Ndërkohë banorë të Lazaratit insistojnë për të kundërtën. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton në lidhje me ngjarjen, ndërsa një mision i Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut ka qenë në Komunën e Lazaratit ku, sipas nëndrejtorit të këtij grupi, vihen re disa shkelje flagrante.

“Ajo ç’ka ne konstatojmë në radhë të parë është një mungesë e theksuar profesionalizimi nga ana e policisë. Kjo u vërejt. Pa dyshim që policia ka të drejtë ligjore të ushtrojë operacione të prioriteteve që i cakton ajo për kapjen e shtetasve të kërkuar, por në kushtet në të cilat ishte zhvilluar operacioni ajo i ka tejkaluar kompetencat e saj. Nuk janë evidentuar që nga banorët, të paktën të cilët ndodheshin në lokal, të jetë qëlluar me armë në drejtim të policisë, madje ka ndodhur e kundërta, policia ka ndërhyrë në këto operacione pa paralajmëruar dhe duke qëlluar me armë. Është qëlluar dhe njëri prej pronarëve të lokalit Altin Beku, i cili në deklaratën zyrtare thuhet që ka qëlluar me armë drejt policisë. Megjithatë ne nuk pamë që të ketë ndonjë urdhër-arresti ndaj tij, nuk pamë që të jetë konfiskuar ndonjë armë, gjithashtu nuk pamë që, megjithëse prioriteti ishte kapja e një të arrestuari, këta persona të kontrolloheshin për armë me qenë se policia pretendon që kishin armë dhe në vendngjarje nuk kishte asnjë armë.”

Ndërkohë ka vazhduar sërish protesta paqësore e banorëve dhe nxënësve të Lazaratit. Në shenjë proteste është bllokuar për një orë rruga nacionale Gjirokastër-Kakavijë. Banorët shprehen se do të vazhojnë të kërkojnë shkarkimin e drejtorit të Policisë së Gjirokastrës dhe dorëheqjen e ministrit Igli Toska. /tvklan.al