“Në emër të 1978 punonjësve të ARMO-s Taçi Oil International dhe QUIT shpk shprehim indinjatën tonë për akuzat absurde me të cilat fatkeqësisht po përballet aksioneri dhe drejtuesi i kompanive të grupit tonë zoti Rezart Taçi. Këto akuza nuk identifikohen me figurën morale dhe familjen e tij si një person me integritet të lartë dhe jo konfliktual. Ne dënojmë me forcë këtë përbaltje të personit të tij dhe këtë goditje të qëllimshme që i bëhet grupit më të madh industrial në Shqipëri. Suksesi 6 vjeçar i kompanisë Taçi Oil dhe më pas i kompanisë ARMO është kontributi i drejtpërdrejtë i zotit Rezart Taçi dhe i vlerave të tij njerëzore dhe sipërmarrëse. Me keqardhje konstatojmë që këto vlera humane dhe intelektuale të tij po përpiqen ti përbaltin segmente të caktuara për interesat e tyre të ulëta. Bazuar në parimin që shtypi është informues dhe jo shpifës, konfirmojmë që çdo akuzë e paraqitur këto ditë dhe në të shkuarën mbi kompaninë tonë dhe zotin Rezart Taçi janë absolutisht të pabazuar. Ne jemi këtu sot për të shprehur besimin tonë se organet e drejtësisë do të marrin vendimin e duhur dhe nuk do të ndikohen nga presioni grupeve të interesuara për të goditur dhe dëmtuar biznesin dhe mbijetesën e familjeve tona./tvklan.al