“Vijoj punën time me kokën lart, me ndërgjegjen e pastër”
Kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, zgjodhi t’u përgjigjej sot akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me formularin e dekriminalizimit.
Malaj thotë se ndaj tij nuk rëndon asnjë akuzë. Për ata që dyshojnë të kundërtën, ai u bën thirrje që të shikojnë vendimin e KQZ-së, që e ka certifikuar pastërtinë e figurës së tij.
“Unë sot, vijoj punën time me kokën lart. Me ndërgjegjen e pastër. Mbi mua nuk rëndon asnjë akuzë. As për 21 janarin e as për asgjë tjetër. Kush ka ende dyshime për këtë mund të hapë vendimin e KQZ, bazuar në vendimin e Prokurorisë, ku certifikohet pastërtia e figurës time dhe më njihet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje. A mund ta thonë të njëjtën gjë ata që sot drejtojnë sulmin kundër meje”, shkruan Malaj në Facebook.
Pak ditë më parë, demokratët kërkuan heqjen e mandatit për Agron Malajn si kryebashkiak. Sipas selisë blu, ai është në kushtet e ndalimit të kandidimit dhe ushtrimit të një funksioni publik. PD bëri publike një vendim të formës së prerë, ku rezultonte se Malaj është dënuar nga Gjykata e Matit me 10 muaj burg në Tetor të 1999-s për armëmbajtje pa leje.
Por nga ana tjetër KQZ-ja sqaroi se Malaj e ka deklaruar këtë vendim të gjykatës në formularin e dekriminalizimit. Prandaj referuar ligjit, KQZ-ja u shpreh se të dhënat e deklaruara nuk përbëjnë kusht për mosregjistrimin e Malajt si kandidat. /tvklan.al