Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një e katërta e uniformave blu do të shkurtohen gradualisht për shkak të reformës në policinë e shtetit. Sipas burimeve nga Ministria e Rendit 3000 policë, 25% e policisë së shtetit pritet të humbasin vendet e punës deri në 2007 dhe shkurtimet graduale do të fillojnë brenda këtij muaji. Ish-ministri i Rendit Luan Rama konfirmoi një fakt të tillë madje mbështet reformën në polici.

Luan Rama: “Ka një të vërtetë përgjithësisht në strukturat shtetërore, por në veçanti në strukturën e policisë së shtetit, ku vazhdohet të mbahen në punë shumë individë apo madje dhe struktura parazite, ndërkohë që një pjesë punojnë, ca të tjerë nuk e di se çfarë bëjnë, vetëm mbajnë uniformën, kështu që në këtë kontekst është logjike dhe normale, që ata që nuk rezultojnë që kanë përgjegjësi dhe detyra për të kryer, të shkurtohen dhe paga e tyre të shkojë në funksion të atyre që bëjnë detyrën deri dhe me sakrifica.”

Ndërkohë në komisionin e rendit ky fakt ka shkaktuar debate. Sipas Shaban Memisë, kjo është një tjetër provë që toska po shkatërron policinë.

Shaban Memia: “Me tërë këto veprime Igli Toska po e shkatërron policinë e shtetit, sepse duke larguar në mënyrë apriori punonjësit e rendit, ka futur pasigurinë, në qoftë se një punonjës rendi ndeshet nga mëngjesi deri në darkë me krimin dhe një ditë të caktuar për një kapriço të ministrit, ose të një klani të caktuar, e nxjerrë në rrugë, detyrimisht tërë punonjësit e policisë janë të pasigurt për të ardhmen e tyre dhe nuk kanë vullnetin për t’u përplasur me krimin.”

Pro reformës së studiuar shprehet kryetari i komisionit Neritan Ceka, por sipas Cekës, një shkurtim me 3 mijë efektivë është i pabesueshëm madje i pastudiuar.

Neritan Ceka: “Ka le të themi, një përpjekje, një fshesë brenda policisë nuk bëhet fjalë, është një proces i vazhdueshëm, i cili parashikon heqjen e të korruptuarve, heqjen e të paaftëve, zëvendësimin e tyre me njerëz të kualifikuar, por nga ana tjetër edhe njohjen e të drejtave, të karrierës, e meritokracisë brenda radhëve të policisë.”/tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj