Reforma zgjedhore rikthen në tryezë Lëvizjen Socialiste për Integrim me Partinë Socialiste, një takim që duhet të ish konsumuar në dyert e kryesisë së kuvendit, por që ka dështuar pavarësisht vullnetit të shprehur në parim nga të dyja forcat politike.

Valentina Leskaj, Fatmir Xhafa për Partinë Socialiste dhe Pëllumb Xhufi e Spartak Braho për LSI-në duhet të ishin takuar rreth orës 11:00, por mungesa e…për hartimin e kodit të ri Xhafaj duket se është bërë shkak për shtyrjen e takimit.

Mbi këtë çështje, Ilir Meta, kryetari i LSI-së nuk preferoi të bëjë asnjë koment.

Ilir Meta: “Nuk kam ndonjë informacion më konkret sesa ky që kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka ngarkuar kryetarin e grupit parlamentar dhe zv/kryetarin e LSI-së, zotin Xhufi, që të zhvillojë takime me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, zonjën Leskaj, por edhe me përfaqësues të tjerë të forcave politike në kuvend.”

Në takimin për reformën Lëvizja Socialiste për Integrim duket se do të diskutojë dhe mbi dyshimet e saj të shprehura me kohë për një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste.

Ilir Meta: “Unë jam dyshues se në pikat më kruçiale ka një marrëveshje që s’është bërë publike për sa i takon kodit që synon një administrim të njëanshëm të procesit zgjedhor nga PD-PS”.

Nëse takimi do të zhvillohet kjo shënon rikthimin në tryezë të dy forcave politike ish-aleate me qëndrime të forta kundër për çështjen e sistemit zgjedhor dhe të ndryshimeve në kushtetutë./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi