Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Deklarata e fundit e Ambasadës Amerikane kundër akteve të dhunës, ka shkaktuar reagime të ndryshme në radhët e politikanëve. Vetë Partia Demokratike, nëpërmjet një deklarate e akuzon ambasadorin amerikan, Jozef Limpreht, se ka bërë fushatë për Edi Ramën dhe Ilir Metën në zgjedhjet lokale. Kundër dhunës janë shprehur reformatorët dhe republikanët.

Genc Pollo:- “Është e padrejtë, që nëse për një veprim, si dhuna apo veprime të tjera të parregullta, të kritikohet e gjithë PD. Nuk janë gjithë demokratët përgjegjës është një pjesë fare e vogël që është kthyer në një bërthamë që nxit njerëzit e dhunshëm, që është kthyer në një Don Kishot që i shpall luftë gjithë botës”.

Republikanët:- “Kemi kërkuar nga PD, që të kontrollojë zhvillimin e mitingjeve dhe protestave dhe të mos lejojë përdorimin e dhunës në këto protesta. Gjithashtu ne i kemi kërkuar, që edhe organet e rendit publik, qeveria shqiptare nuk duhet të përdor dhunën mbi demonstruesit”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame