Menjëherë sapo mori zyrtarisht detyrën, ministrja Olta Xhaçka bëri të ditur se do të vazhdojë punën për reformimin e shërbimit diplomatik të vendit tonë. Ajo tha se do të krijohet një grup pune me ambasadorët me më shumë përvojë për të piketuar hapat e mëtejshëm të reformës, dhe për këtë kërkoi idetë e të gjithëve.

“Unë do të krijoj menjëherë një grup pune me ambasadorët me më shumë përvojë për të piketuar një sërë hapash të mëtejshëm në reformimin e shërbimit tonë diplomatik dhe do t’ju ftoj të gjithëve të jepni idetë tuaja”, tha Xhaçka.

Ministria e re e Punëve të Jashtme tha se do të vijojë që prioriteti numër 1 të jetë integrimi.

“Dhe në këtë drejtim, që është edhe prioriteti ynë nr. 1, jam e kënaqur që puna ka qenë intensive. Kryenegociatori duhet të marre jo vetëm përgjegjësinë që e ka marrë po edhe mbështetjen e plotë nga zinxhiri i punës me integrimin në këtë ministri, duke u koordinuar prej tij dhe duke u përgjigjur para tij”, tha Xhaçka./tvklan.al