Veliaj: Investimet rrisin vlerën e pronës së qytetarëve
Bashkia e Tiranës po vijon projektin e rehabilitimit të zonave të banuara në kryeqytet. Kësaj radhe puna është ndalur në Laprakë, ku po ndërhyhet në një bllok banimi.
Kryetari i bashkisë Erion Veliaj teksa inspektoi punimet u shpreh se në fokus të këtij projekti është edhe kthimi i shesheve apo hapësirave në funksion të qytetarëve dhe lehtësimi i qarkullimit të automjeteve.
“Po pastrohen të gjithë çibanët, po rregullohen sheshet. Më në fund kemi trotuarë në një zonë e cila kishte dalë jashtë kontrollit. Ndër vite ishin toleruar disa gjëra që nuk duhej të toleroheshin: zaptimi i shesheve të pallateve, zaptimi i xhepave të vegjël e lulishteve, zaptimi i këndeve të lodrave. Me skemën e re, me stolat, me lulet, me këndet e lodrave, me xhepat mes pallateve, i kthehet jeta komunitetit”, tha Veliaj.
Për kryebashkiakun këto investime në infrastrukturë, por edhe në rehabilitimin e fasadave të pallateve, rrjedhimisht sjellin edhe rritje të vlerës së pronave të qytetarëve.
Kreu i Bashkisë siguroi se puna nuk do të ndalet në këtë bllok banimi, dhe se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe investimeve në periferi.
Tv Klan