Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Universitetit të Tiranës i bllokohen fondet që ka në dispozicion për të paguar shpenzimet e kryera për rikonstruktimin e fakulteteve. Rektori i këtij universiteti Shezai Rrokaj thotë, se vetëm dje ka mësuar se është bllokuar shuma e parave që do të nevojitet për pagesën e firmave që kanë kryer punimet në godinat e fakulteteve.

Shezai Rrokaj:- “Mora vesh që ishin bllokuar, fola më andej me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe kam dërguar kancelarin atje për të koordinuar bashkë me drejtorinë ekonomike për ta zgjidhur problemin, shpresoj që mund ta zgjidhim dhe të mos ketë probleme, sepse do të ishte me të vërtetë, jo vetëm nuk hiqet limiti, por dhe ajo pjesë e limitit po të kufizohet, nga të ardhurat nuk e kuptoj se ç’mund të bëjnë, sepse tani më edhe tenderat janë bërë dhe një pjesë e investimit është bërë”.

Në fillim të këtij viti akademik, universiteti i Tiranës u përball me një situatë të ngjashme, kur me anën e një njoftimi të Ministrisë së Financave lajmëroi bllokimin e të gjitha fondeve të realizuar nga kuotat dytësore. Por kjo situatë u kalua shpejtë, pas ankesave të rektorit Rrokaj, Ministria e Financave vendosi zhbllokimin e këtij fondi./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka