Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kjo është Mirdita, një krahinë që në histori ka zënë shumë vend, për kryengritjet, luftërat tradhtitë, bajraqet e mëdha që kishin influenca në veri dhe në krejt vendin, si dhe për forcën me të cilin zbatohej kanuni i diktuar nga bajraktarët me emër. Sot këtu kanë mbetur vetëm gjurmët nga e kaluara. Fantazma e zakonit të vjetër që vazhdon të marrë jetë njerëzish dhe një veçori e përbashkët e pandryshueshme, varfëria.

Gjin Legejaj, nga fshati Perlat i Mirditës është afër të 70-tave. Para pak kohësh, ai dhe familja e tij, ranë viktima të ngujimit. Vrasja që kreu një nga djemtë e Gjinit, ka detyruar gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, të ngujohen në emër të kanunit, duke braktisur kështu punën, tokën, e gjithçka tjetër që u siguronte jetesën e përditshme.

Gjin Legejaj:- “Ne të Mirditës jemi me ngatërresa. Po fillojnë nga ngatërresa e vogël dhe bëhen të mëdha. Mendjemadhësia, sidomos e të rinjve, sesa të vjetërve edhe ne të vjetrit kemi faj, por e këtyre të rinjve, mendjemadhësia, mospërfillja dhe nuk zbatohet as ligji, as Kanuni, se po të zbatohej nuk ishim kështu ne. Kur bën faj djali të rrijë në burg, ta dënojë ligji, po mos të ketë më njeri punë me të. Po djali në burg dhe vetë mbyllur brenda, ku do hamë, kush të ndihmon, s’ke si të veprosh, se Kanuni e ka pas, po të vritej një, gratë fëmijët dilnin shkonin punonin, tani mbyllur kemi sa me jetu gjallë. Jetojmë të gjithë brenda tani, se të caktojë një me e vra jemi dakord, po këtu nuk ka besë, ka pabesi. Duhet t’i japim një rrugëzgjidhje, po ai s’të jep rrugëzgjidhje, i kam çuar njerëzit, shokët, njerëz të afërm të atij e të mijtë, që mos të na ngelin më gjëra të hapen familjet, se nuk fiton gjë, as ai as unë. Thuaj një djalë, kë të duash një djalë, unë kam 5 djem, kë do me vra njërin prej tyre, thuaj një do e vras se e kam inat dhe po lahemi, por të tjerët të dalin. Po kështu të gjithë të mbyllur, unë njëherë dhe familja ime, mirë unë i mbyllur po ka mbyll dhe familjen e vëllait. Këto janë ato që ngecim ne sot. Sot për sot këtu kemi ngecur, as ligji as Kanuni, as forca nuk është me ta. Shteti s’të mbron”.

Gjakmarrja ka ekzistuar prej shekujsh në Mirditë. Faktet tregojnë se ky fenomen për herë të parë është shfaqur në fisin e Gjonmarkajve, një prej familjeve më në zë në gjithë krahinën. Konflikt në të cilin u vranë 22 djem, vetëm prej dy lagjeve. Më vonë Gjonmarkajt u përpoqën të zbatonin me zgjuarsi Kanunin e Lekë Dukagjinit, për të siguruar herë pas here faljen e gjaqeve, e pajtimin e familjeve në hasmëri. Tre bajraktarët e fisit, në Orosh, Spaç e Kushne, me ndikimin e tyre absolut, ndihmuan shumë pajtime. U krijuan pleqësitë në 12 bajraqe, të cilat ndërhynin në zgjidhjen e konflikteve.

Në këtë krahinë, me besim tërësisht katolik, kisha ka luajtur një rol të rëndësishëm, ku vota e priftit në kuvendet e pajtimit ishte e barabartë me atë të 24 burrave. Viti 1602, do të shënonte të parin e kuvendeve të mëdha të Shën Palit, me faljet masive të gjaqeve, ndërsa në vitin 1944, fiksohet kuvendi i fundit në krahinë. Vendosja e regjimit komunist, do të ngrinte për gati 50 vjet, të gjitha historitë e gjaqeve, kudo në veri. Por ndryshimet radikale të viteve ’90, rihapën në Mirditë fenomenin e gjakmarrjes në emër të Kanunit, tashmë i deformuar nga vitet dhe zhvillimi. Aktualisht në këtë rreth, shënohen 33 raste gjakësie, e 7 familje me dhjetëra pjesëtar janë të ngujuara.

Kush e nxit gjakmarrjen? A është ajo një tregues i forcës apo i dobësisë njerëzore? Mungesa e zhvillimit bënë që familje të tëra në këtë zonë nën mbulesën e Kanunit, të nxjerrin në sipërfaqe elementë të primitivizmit, që favorizohen nga paaftësi e shtetit për të vendosur drejtësi …/tvklan.al