Bregdeti i jugut mbetet padyshim destinacioni më i lakmuar turistik për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, por vitet e fundit edhe për turistët e huaj. Menjëherë pas ngjitjes në Qafën e Llogarasë panorama që shfaqet është magjepsëse. 

Rruga që gjarpëron mes një terreni të thepisur zbret fillimisht në plazhin e Dhërmiut. Fshati me ndërtimet karakteristike ruan ende fizionominë e kohëve të vjetra dhe po ashtu edhe rruga 1.5 kilometra e gjatë që të çon fare afër bregut. Megjithatë  vizitorët janë të shumtë, një pjesë e të cilëve besnikë ndër vite

“Unë e frekuentoj çdo vit dhe gjithçka është shumë mirë, gjithçka e bukur, rregulli, qetësia, pastërtia”.

“E kemi frekuentuar dhe më përpara”.

“Mrekulli është divertiment ka shumë. Ajo është që na sjell këtu”.

“Është një plazh i veçantë, jo shumë i populluar, i qetë”.

Për ata që duan të jenë afër bregut, një natë në hotel mund të kushtojë nga 30 deri në 60 euro, ndërsa për fanatikët e traditës, shtëpitë përdhese abonohen për 300 deri ne 400 euro në 15 ditë. Risi e kësaj vere janë edhe turistet e huaj.  Të rinj nga Britania, Italia apo Greqia fqinje shprehen të impresionuar me rivierën shqiptare.

“Vij nga Bolonja, për herë të parë në Shqipëri. Është bukur si vend, sidomos deti”.

“Jam nga Anglia, më pëlqen deti dhe dielli”.

“Vij nga Roma, këtu është shumë bukur dhe gjithçka shkon mirë”.

“Më pëlqen Shqipëria, më pëlqen plazhet e saj dhe argëtohem shumë”.

Pavarësisht kësaj nuk mungojnë sugjerimet për t’u rikthyer sërish vitin tjetër

“Nëse rregullohen rrugët, do të jetë më mirë”.

“Duhet më shumë argëtim dhe aktivitete. Nuk ka shumë alternativa, është vetëm plazhi dhe deti”.

Pak kilometra më tej shtrihet plazhi i Jalit. Bashkë me ujin e kristaltë dhe natyrën çlodhëse, ka nga ata që mundohen të shfrytëzojnë në maksimum diellin e nxehtë të kësaj vere.

Për tipat më alpin, çadrat kushtojnë më pak dhe janë një zgjidhje e mire në rast se nuk gjen dhomë për tu akomoduar

“Është më rehat, më kollaj dmth s’ke nevojë ta vrasësh shumë mendjen”.

Por ka dhe nga ata që e shohin këtë si një mënyrë për t’ju kthyer kujtimeve të rinisë.

“Këtu me çadra jemi sonte”.

Gazetarja: Pse keni ardh me çadra?

“Zgjedhja jonë, momenti”.

Plazhet e Himarës, Borshit apo Lukovës që ndodhen pak kilometra më tutje, janë një tjetër alternativë për të pushuar në brigjet e Jonit. 

Udhëtimi drejt Sarandës dhe Ksamilit i jep fund kësaj perle të turizmit shqiptar që jo më kot, klasifikohet si elitar, dhe tërheq çdo ditë e më shumë interesin e pushuesve por edhe investitorëve./tvklan.al

Gazetare: Ornela Hila