Pavarësisht krizës ekonomike botërore që po jep impakt edhe tek industria e turizmit. Vendi ynë vazhdon të regjistrojë rritje të numrit të turistëve, sipas shifrave më të fundit të bëra publike nga Ministria e Turizmit, bazuar në hyrje-daljet në pikat kufitare.

Gjatë gjysmës së parë të këtij viti numri i vizitorëve të huaj që kanë mbërritur në Shqipëri, ka qenë rreth 10% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në total nga janari deri në fund të qershorit të këtij viti, numri i përgjithshëm i vizitorëve të hyrë në Shqipëri i kalon të 950 mijë personat, 55% nga të cilët janë shtetas të huaj, ndërsa pjesa tjetër janë vizitorë me nënshtetësi shqiptare, por që janë rezident në vende të ndryshme.

Pjesa dërmuese e vizitorëve, 92% e tyre i takojnë kontinentit europian. Turistët amerikan zunë vetëm 5% të totalit, ndërsa aziatikët 2%.

Të ndarë sipas arsyes së udhëtimit për periudhën janar-prill 82% e vizitorëve zgjodhën Shqipërinë për pushime, ndërsa 5% për biznes. Numri i turistëve gjatë muajve në vijim, pritet të rritet ndjeshëm pasi përkon me sezonin veror./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro