Ahmet Premçi: “Ndryshim të urdhrit nuk ka. Të gjithë strukturat e policisë vendore, në gjithë qarqet e vendit që kanë zona të tilla turistike janë të angazhuara për të zbatuar këtë urdhër. Për punonjës të policisë që nuk kanë zbatuar këtë urdhër, që e kanë neglizhuar, që kanë bërë diferencime janë marrë masa konkrete, masa ndëshkimore shumë të ashpra”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, reagon ndaj amullisë së përhapur në media, se policia e shtetit është tërhequr nga urdhri për mbylljen pas mesnate të lokaleve që ushtrojnë biznesin e tyre, në vendet e pushimit kryesisht në bregdet.
Ahmet Premçi: “Në telefonin e policisë që është pa pagesë, ka me qindra dhe mijëra telefonata që ankohen për këtë gjë. Pikërisht kjo është shkaku që ne kemi ndërmarrë këtë vendim dhe po e zbatojmë me korrektësi, dhe do të vazhdojmë ta zbatojmë deri në fund. Pushteti lokal që jep leje për të vazhduar muzika pa ndërprerë, mbase i referohet ligjit ku këto ambiente duhet të jenë të mbyllura që akustika e muzikës të mos depërtojë jashtë ambienteve të lokalit. Lokalet të cilat plotësojnë kondicionet teknike të akustikës, brenda lokalit dëgjohet zhurmë dhe përjashta nuk depërton, ato janë të lira mbas lejeve të pushtetit lokal ta ushtrojnë aktivitetin. Për të tjerat edhe dje kam dëgjuar shumë komente nga mediat që është tërhequr urdhri i policisë. Nuk është e vërtetë absolutisht. Ne kërkojmë që në ato lokale, ku në orën 12:00 të natës nuk ka zhurma të larta, zhurma e muzikës të mos dëgjohet jashtë lokalit”.
Sot në vendet e pushimit në bregdet pa frikë mund të gjesh me dhjetëra lokale nate të cilët pasi kanë siguruar një licencë nga pushteti lokale kanë hapur një biznes mjafte fitimprurës. Por a i kanë pambushur ato kriteret e hapjes së një lokali nate në mes të një qendre pushimi?
Askush deri më tani nuk e ka kërkuar përgjegjësin tek autoriteti që jep licencat për hapjen e lokaleve pranë vendeve të pushimit. Premçi thotë se pavarësisht kësaj policia do të jetë në shërbim të komunitetit./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani