Pushues të shumtë ardhur nga Tirana ,Elbasani, por edhe qytete të tjerë e zgjedhin Pogradecin për të kaluar pushime të gjata. Zgjerimi i hapësirave të plazheve publikë nga bashkia e Pogradecit është mirëpritur nga vizitorët, sidomos të moshës së tretë.
“Pogradeci është një qytet i paparë nuk krahasohet me asnjë vend në botë. Pastërti, rregull, disiplinë, gjithë darkën kënaqesh,” tha një pushuese.
“Kemi 10 ditë. Është viti i katërt që vijmë dhe jemi shumë të kënaqur, qoftë për çadrat e bashkisë që nuk paguajmë asnjë gjë se jemi pensionistë,” shtoi një tjetër.
“Kemi 15 ditë. Vijmë çdo vit këtu sepse na pëlqen, sidomos për moshat tona është shumë mirë,” shtoi një tjetër pushuese.
“Është shumë mirë ka shumë pastërti, nuk kemi çfarë të themi. Bashkia bëka punën e vet këtu, është shumë e rregullt,” tha pushuesja.
Pastërtia e rërës dhe uji kristal i Liqenit të Ohrit,por edhe klima e freskët me temperatura disa grade më të ulëta se në pjesën tjetër të vendit, kanë rritur fluksin e vizitorëve besnikë.
Pushuesit janë të kënaqur me cilësinë e shërbimeve,ndërsa çmimet e hoteleve dhe restoranteve mbeten ekonomike dhe të pandryshuar.
“Çmimet nuk kanë ndryshuar, janë shumë mirë” shtoi më tej pushuesja.
Oferta turistike e Pogradecit këtë verë është pasuruar edhe me aktivitete të larmishme kulturore dhe sportive.
Klan News