Pushtimi i Parlamentit dhe i televizionit nga protestuesit serbë, shënuan dje atë që Perëndimi e quajti revoltë popullore në Beograd. Pas rezistencës së parë policia u tërhoq. Madje një pjesë e tyre u bashkuan me turmën. Gjatë përleshtjeve janë plagosur mbi 30 vetë. Në mbrëmje, fituesi i zgjedhjeve presidenciale Koshtunica, foli në televizion duke njoftuar se u mblodh parlamenti federal serb.
Ndërsa për Millosheviç askush nuk e di saktë se ku ndodhet. Udhëheqësi i opozitës Gjingjiç njoftoi se Millosheviç duhet të ndodhet në një fshat 40 kilometra larg qytetit Bor, në kufi me Rumaninë dhe Bullgarinë.
Ai është strehuar në shtëpinë bunker i ruajtur nga ushtria. Gjingjiç paralajmëron se ai është duke përgatitur një grusht shteti.
Ndërsa manifestuesit kanë ndenjur gjatë gjithë natës në shesh, Kryqi i Kuq u ka shpërndarë 20 mijë pako me ushqime. Nga ana tjetër agjencia e lajmeve bën të ditur se në orët e para të mëngjesit janë mbledhur drejtuesit më të lartë të ushtrisë. Agjensia tjetër jugosllave Beta citon një burim ushtarak sipas të cilit, ushtria do të qëndojë në kazerma dhe nuk do të ndërhyjë kundër protestave që vazhdojnë nëpër rrugë. Ushtria jugosllave nuk do të ndërhyjë në asnjë mënyrë në ngjarjet që ndodhin nëpër rrugë dhe e kanë respektuar rolin që u jep Kushtetuta./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti