Pas Parlamenti votoi rezolutën anti-korrupsion me 76 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim, deputeti i PD-së, Dashnor Sula e ka quajtur një skenar ogurzi të pengimit të drejtësisë së pavarur. Sipas deputetit, kjo rezolutë ka si qëllim që të mbajë nën kontroll SPAK-un dhe GJKKO-në.
Dashnor Sula: Shpreh keqardhjen që ditën e sotme, ky parlament ka miratuar një rezolutë duke i hapur rrugën një skenari ogurzi të pengimit të drejtësisë së pavarur që ju pretendoni se do ta mbroni, pikërisht SPAK-ut dhe GJKKO-së. Kjo rezolutë nuk është asgjë tjetër veçse ngritja e një Komisioni të Posaçëm, i cili do të bëjë të mundur të thërrisni dhe t’i vini shkopinjtë nën rrota SPAK-ut, drejtuesit të SPAK-ut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë së pavarur që t’i mbani nën kontroll dhe nën fre.
Sipas Sulajt, komisioni i posaçëm që do të ngrihet në sajë të kësaj rezolute të miratuar ditën e sotme ka si qëllim që të pengojë hetimet e SPAK.
Dashnor Sula: Arsyeja është e thjeshtë dhe e vetme sepse SPAK ka depërtuar aq larg duke pasur parasysh se përpara SPAK-ut, nën hetim janë figurat më të larta të kësaj mazhorance, kryetarë bashkie, ish-zëvendëskryeminstra e deputetë. Komisioni që do të ngrihet nga ana juaj do të bëjë të mundur drejtuesin e SPAK dhe do ta thërrisni atje përpara dhe pikërisht për të mbrojtur kryetarin e Bashkisë së Tiranës keni ngritur këtë komision të posaçëm, të cilin do ta pengojë hetimin, por nuk keni për ta ndalur dhe për këtë jam i bindur.
/tvklan.al