Ish-emisari amerikan për Ballkanin, Richard Holbrooke, i cili po qëndron në vizitën e parë në Kosovë pas pavarësimit të saj, është shprehur i impresionuar me hapat e zhvillimit të shtetit të ri.

Marrë parasysh diplomacinë agresive të Rusisë kundër pavarësisë dhe njohjes së Kosovës shifra prej 46 vendeve është shumë e mirë.

Richard Holbrooke: “Tash është më e rëndësishmja që Kosova të njihet edhe nga vendet fqinje sidomos nga Maqedonia dhe Mali i Zi.”

Diplomati Holbrooke i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të mos e pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë përderisa Serbia të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Gjatë takimeve që ka zhvilluar me krerët më të lartë të shtetit të Kosovës Holbrooke ka përjashtuar mundësinë e ngjashmërive të rastit të Kosovës dhe territoreve gjeorgjiane.

Richard Holbrooke: “Kjo është e pakuptimtë sepse nuk ka kurrfarë ngjashshmërie mes këtyre dy rasteve”.

Autoritetet kosovare kanë çmuar lartë kontributin e Holbrooke për Kosovën.

Fatmir Sejdiu: “E quajmë plotësisht me të drejtë se është pjesë aktive e historisë së Kosovës dhe të ardhmes së saj.”

Hashim Thaçi: “Ambasadori Holbrooke është njeriu i paqes, i stabilitetit, njeriu i marrëveshjeve të mëdha për paqen në rajon, por dhe mbështetësi i fuqishëm i lirisë, i pavarësisë së Kosovës”.

Nesër diplomati amerikan do të mbajë një fjalim në kuvendin e republikës së Kosovës./tvklan.al