Gripi pandemi A H1N1 ka rifilluar të qarkullojë në vendin tonë pas një periudhe qetësie gjatë dy muajve të fundit. 

Vetëm gjatë kësaj jave janë identifikuar 9 raste të reja, duke e çuar në 43 numrin e personave që janë prekur prej tij.

Numri i madh i rasteve ka mbledhur komitetin e ekspertëve të pandemisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, i cili publikoi edhe numrin zyrtar të rasteve të identifikuara së fundmi.

Për 9 të infektuarit e rinj, Ministria e Shëndetësisë sqaroi se ato kanë patur simptoma të lehta.

Për të paraprirë situatën specialistët rekomandojnë popullatën të vaksinohen nga gripi sezonal që është në qarkullim.

Nga ana tjetër brenda disa javëve pritet që në vendin tonë  të nis vaksinimi i grupeve në risk nga gripi A H1N1.

Gjithashtu pranë Institutit të Shëndetit Publik është siguruar Tamiflu për trajtimin e 10 mijë personave./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami