5 godina studentore te “Qyteti Studenti”, falë bashkëpunimit mes bankës gjermane për zhvillim KFW dhe Bashkisë Tiranë janë rikonstruktuar. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se standardi i ofruar në këto godina do të jetë etaloni i ndërtimeve në vend.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Ne e trajtojmë me shumë seriozitet raportin që kemi me KFË sepse duam që, këto 5 godina, të jenë vetëm 5 dallëndyshet e para. E kemi ngritur standardin për efiçencën energjetike, për trajtimin studentëve me aftësi ndryshe, për mënyrën se si edhe pas tërmetit, kur na u desh të prishnim disa godina, ne ndërtojmë me një nivel shumë të lartë. Çfarë po bëhet këtu është etalon i çfarë do të jetë ndërtimtaria në Shqipëri, pra po punojmë me teknologjinë e fundit.
Veliaj nënvizoi se studentët do të gjejnë kushte tërësisht të rehabilituara në muajin shtator.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Në shtator do të kemi një super surprizë për studentët. Do të vijnë në kushte që, nuk hezitoj ta them, do jenë më të mira se shumica e shtëpive që kanë lënë dhe me sa pashë shumica e hoteleve të Tiranës. Në dhoma që kanë hapësirë me nga dy veta dhe jo në atë skenën e mbingarkimit. Mbaj mend kemi gjetur 6 ose 8 vetë, banjat në fund të korridorit.
Ndërsa sipas KFW ky projekt i rëndësishëm është në vazhdën e atyre të mëtejshme me Bashkinë e Tiranës, bashkëpunim që do të vijojë edhe më tej.
Klan New