Ekipet e terrenit të Bashkisë së Tiranës po vijojnë punën për rikualifikimin e lagjeve të banimit në zonën e ish-Bllokut, në Njësinë 5.
Kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë inspektimit të punimeve theksoi se ndërhyrjet do të bëhen kryesisht në rrjetin nëntokësor, për t’i paraprirë shirave të stinës.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: Sot zona e ish Bllokut është e rrethuar me pallate dhe një pjesë e madhe e problematikës gjatë dimrit, me shirat, vjen nga fakti se infrastruktura nën tokë është bërë për një numër më të vogël banorësh. Aktualisht numri i banorëve këtu ka kapur kulmin dhe kanalizimet s’mbajnë më. Prandaj, do të shkojmë në një kapacitet shkarkues shumë herë më të lartë. Pavarësisht se në pamje të parë sipërfaqja duket relativisht mire, duhet të fokusohemi te nëntoka. Kemi pasur shumë problematika me pallatet e ndërtuara dhe legalizuara në zonën e “Moskateve”. Nuk është menduar edhe për pjesën e daljes, sidomos për hyrjen e emergjencës në pallatet e vjetra.
Kryebashkiaku ftoi prindërit të bëjnë regjistrimet e fëmijëve në shkollat, kopshtet dhe çerdhet pranë shtëpive të tyre.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: E di që ka akoma njerëz që me mentalitetin e viteve ’80-’90 mendojnë se një shkollë është më e mirë se tjetra, por të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet janë njësoj, me mësues dhe edukatore nga portali. Lajmi i mirë është se do të nisim ndërtimin e shkollës “Edith Durham” dhe na duhet të transferojmë nxënësit te “Emin Duraku”. Shkollat e ish Bllokut, që deri dje ishin elitare, sot duken vjetërsira krahasuar me mbi 40 shkollat e reja moderne që kemi bërë në Tiranë. Do të ndërtojmë edhe“Petro Ninin” sepse edhe ajo shkollë ka lezet të jetë si “Qemal Stafa”, si “Sami Frashëri”, si “Partizani”, por që ta bëjmë këtë, do të na duhet bashkëpunim.
Projekti i Bashkisë së Tiranës në bllokun e banimit në Njësinë 5, përfshin rikonstruksionin e rrugëve “Moskat” dhe “Andon Zako Çajupi”, si dhe aksesimin e lagjes nga zjarrfikësja në rast emergjence.
Klan News