Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Janë rikthyer debatet e ashpra në gjirin e socialistëve. Vetë kryetari aktual i kësaj partie Fatos Nano, ka hedhur akuza në adresë të Zv/kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Ilir Meta, për mospraninë e tij në seancën e votimit, për mbylljen e dyqaneve pa taksa në pikat doganore.

Akuza e Nanos ka ardhur në momentin, kur Ministri i Financave Islami, po raportonte rreth rezultateve të doganave dhe tatimeve. Pas deklarimeve të zotit Nano, në mbledhjen e grupit parlamentar, ka mbërritur me urgjencë zv/kryeministri Meta, i cili i është përgjigjur me tone të ashpra kryetarit.

“Është mungesë korrektësie të përmendësh emrin tim në mungesë, aq më tepër, kur ju kisha informuar zyrtarisht për vizitën në Malin e Zi”, ka replikuar Meta ndaj Nanos. Ndërsa Nano është tërhequr duke deklaruar se nuk kishte asnjë koment. Këtë akuzë të Nanos pas mbledhjes Meta e ka konsideruar, lajthitje të radhës.

Ilir Meta:- “Ka pasur një lajthitje po u sqarua, pasi unë kam qenë në Mal të Zi, me lejen e kryeministrit Nano dhe ka qenë e pamundur, pasi vizita ime zyrtare ka mbaruar në orën tre kur votimi është bërë shumë përpara”.

Krahas debatit të rindezur Nano-Meta, kryetari socialist ka qenë i ashpër edhe ndaj qëndrimit të deputetit Anastas Angjeli, i cili edhe ai nuk ishte i pranishëm në votimin e ligjit për mbylljen e dyqaneve “duty free”, në sallën e Parlamentit. Sipas burimeve brenda grupit parlamentar, zoti Nano e ka paralajmëruar Angjelin, se qëndrime të tilla politike, meritojnë edhe ndëshkime politike.

Menjëherë në replikë është përfshirë edhe ministri aktual i Financave Kastriot Islami, i akuzuar për emërimet në dogana dhe tatime. Vetë i akuzuari kryesor për mosrealizimi e të ardhurave nga doganat e tatimet, Kastriot Islami ka deklaruar, se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Kastriot Islami:- “Ishte një formim tradicional që bëhet në grupin parlamentar. Kam paraqitur analizat që janë përpunuar nga stafi i Ministrisë së Financave, që janë miratuar nga qeveria, janë miratuar nga Parlamenti”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame