TikTok rifilloi shërbimet për 170 milionë përdoruesit e tij në SHBA pasi Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha se do të lëshonte një urdhër ekzekutiv kur të marrë detyrën të hënën, për t’i dhënë një afat aplikacionit.

Të shtunën në mbrëmje, aplikacioni në pronësi kineze pushoi së funksionuari për përdoruesit amerikanë, pasi hyri në fuqi një ligj që e ndalonte atë për çështje të sigurisë kombëtare.

Por pasi Trump premtoi të dielën se do të vononte zbatimin e ligjit dhe do të lejonte më shumë kohë për të arritur një marrëveshje, TikTok tha se po rikthen shërbimin për përdoruesit.

Kompania falënderoi presidentin e ardhshëm për qartësinë dhe sigurinë e nevojshme dhe tha se do të punojnë me Trump për një zgjidhje afatgjatë që mban TikTok në Shtetet e Bashkuara. Kushti i vendosur ligjor është që kompania kineze të ndryshojë pronësi dhe të blihet nga një kompani amerikane për të menaxhuar 170 milionë amerikanët që e përdorin platformën. 

Platforma e videove të shkurtra është jashtëzakonisht e popullarizuar në SHBA. TikTok është dëshmuar edhe si një mjet i vlefshëm për fushatat politike amerikane për të arritur tek votuesit më të rinj.

Klan News