Zona e Thesarit në Njësinë 12 po transformohet nga Bashkia e Tiranës. Rikualifikimi urban përfshin rrugët “Mahmut Allushi”, “Ramazan Lici”, “Muhamet Deliu” dhe “Sotir Caci”. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj i shprehu mirënjohen komunitetit për bashkëpunimin.

Bëhet fjalë për të gjithë zonën e Thesarit, një kërkesë e ardhur nga komuniteti. Në këtë lagje kemi bërë disa ndërhyrje, duke filluar nga rruga që kemi bërë në fillim të mandatit tonë, rruga e Dajtit, dhe pastaj shkollat ‘Luan Hajdaraga’ dhe ‘Klodian Tanushi’, të cilat e futën zonën e Freskut dhe lagjen 12 në rrjetin e arsimit cilësor të Tiranës, ku shkollat e periferisë kanë dalë shumë më mirë se ato të qendrës. Më vjen mirë që, pasi zgjidhëm fëmijët të parët, tani jemi vërtet në një situatë të qetë, ku ne mund të punojmë lirshëm për të gjithë zonën e Thesarit”, u shpreh Veliaj.

Ai shpjegoi se në fund të punimeve, lagja do të ketë një rrjet të brendshëm kapilare, që mundëson akses pranë pallateve, duke shmangur rrugën kryesore, e cila vitet e fundit është ngarkuar së tepërmi nga turistët e shumtë që vizitojnë “Bunkart”.

“Janë disa mijëra turistë që vizitojnë ‘Bunkart’ çdo ditë. Vetëm fakti që autobusët nuk ndalen ndonjëherë edhe pasi mbaron ora e pikut, duke sjellë turistët, zonës i bënë mirë se konsumojnë edhe shpenzojnë, por nga ana tjetër shtojnë trafikun, i cili zgjidhet vetëm me propozimin që kemi me rrjetin e unazor. Në fund të punimeve, lagja do të ketë një rrjet të brendshëm kapilar për të hyrë dhe për të dalë nëpër pallate. Secili do të dalë dhe do të hyjë nga pjesa më e afërt që ka me këtë Unazë. I gjithë ky bllok, duke filluar nga Fresku deri tek Thesari, do të funksionojë si një Unazë”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj tha se bashkë me lehtësinë e aksesit të lagjes, do të mundësohet edhe zgjidhja e problemit me kanalet e ujërave të bardha dhe ndriçimi led. Veliaj shtoi se deri tani Bashkia e Tiranës ka përfunduar punimet për rehabilitimin në 75 lagjeve në kryeqytet.

“Për herë të parë do të zgjidhim historinë e kanaleve të ujërave të bardha. Janë zgjidhur kanalet e ujërave të zeza, por jo të bardhat sepse kemi pasur gjithmonë reshje, që kanë krijuar baltovina, që duhet t’i zgjidhim një herë e mirë. Me ndriçimin led, me pemët, i japim kësaj lagje të njëjtin zhvillim, urbanizim që i kemi dhënë edhe pjesës qendrore të Tiranës. Në buxhetin e vitit 2025 ne do të vazhdojmë me konceptin tonë të 100 lagjeve. Kemi shkuar mbi 75 lagje, kemi edhe rreth 25 ndërhyrje të ngjashme për cilësi, urbanitet dhe hijeshi”, deklaroi Veliaj./tvklan.al