Administrata shtetërore do të pushojë nesër. 22 Nëntori është festë kombëtare, por thuajse askush nuk ia ka idenë se ç’festë është.

“Ku di unë, pa shkollë jam”.

“Ditë e premte më duket”.

“Ditë si sot”.

“Nesër? Me thënë të drejtën nuk e di”.

Është festa e Ditës së Alfabetit. Qeveria e shpalli festë kombëtare me një të rënë të lapsit, pas një kërkese të një grupi akademikësh.

Por, përveç pushimit që do të bëjë administrata, që do t’u vërë drynin zyrave, kjo festë nuk ndryshon asgjë me 22 Nëntorët e mëparshëm kur nuk ishte ditë pushimi. Do të jenë të njëjtat aktivitete, do të mbahen fjalime me të njëjtën tematike, disa postime në rrjetet sociale nga ministra e deputetë dhe asgjë më shumë.

Për qytetarët po ashtu, në mbarë vendin, do të jetë një ditë e zakonshme. Aq sa, kur i pyet se si do festojnë, përgjigjen gjithë qësendi.

“Do të bëj disa biskota me të gjitha gërmat e alfabetit nga A te ZH”.

“Zarzavate, perime, gatime”.

“Ç të festojmë ne, në shtëpi, ça do bëjmë”.

Ajo që ndryshon është se qytetarët që do të duan të përmbushin nevojat e zakonshme të punëve me zyrat e shtetit, do ta kenë të pamundur, sepse të gjitha sportelet dhe shërbimet do të jenë jashtë funksionit.

Shqipëria është një ndër vendet me numrin më të madh të pushimeve të administratës nga festat zyrtare, aq sa, kur një festë bie të shtunën apo të dielën, pushohet të hënën. Me shtimin e Ditës së Alfabetit në kalendarin e festave zyrtare, Shqipëria hyn në histori si një ndër vendet e vetme që feston Alfabetin, bashkë me Bullgarinë që feston më 24 Maj ditën e alfabetit cirilik.

Ironik është fakti se kjo festë kremtohet si festë kombëtare në një vend që numëron 48 mijë analfabetë. E po ashtu, është ironike që në një kohë kur kërkohet që, si një vend në zhvillim, administrata dhe sektori privat të shtojnë ritmin e punës, qeveria shton numrin e ditëve të pushimit, duke iu afruar vendeve të botës së tretë si Indonezia apo Irani.

Sa për statistikë, Shqipëria numëron 15 festa zyrtare, por ditët e pushimit të administratës janë më shumë. Viti nis me pushimet e fundivitit dhe nëse 1 apo 2 Janari bien në fundjavë, automatikisht pushimi shtyhet në ditët pasardhëse të javës.

Pas vitit të ri, pushimi zyrtar i radhës është 14 Marsi, ose Dita e Verës, dhe 1 javë më vonë festa e Nevruzit. Me 31 Mars të këtij viti, ishte e diela e Pashkëve katolike, por administrata pushoi edhe të hënën. Një javë më vonë ishte Bajrami i Madh dhe sërish shteti bëri pushim të hënën e radhës.

Maji vjen me dy festa, atë të datës 1 dhe 5 Maj, që këtë vit po ashtu përkoi ditën e diel dhe zyrat e administratës u mbyllën edhe të hënën. Po kështu edhe festa e Kurban Bajramit ishte të dielën e 16 Qershorit dhe pushim u bë edhe e hëna. Edhe 8 Dhjetori, Dita e Rinisë, do të jetë e diel dhe për pasojë do të pushohet edhe të hënën.

Tv Klan