Deputetët e maxhorancës miratuan nen për nen një mini paketë fiskale që prek nivelin e akcizave, rimbursimin e tatimit të vlerës së shtuar, sistemin e taksave vendore apo tatimin mbi lojërat e fatit. Akciza për duhanin, pijet alkolike dhe kafen pothuajse dyfishohet, nga niveli aktual prej 10 euro mesatarisht për kilogram në 20, ndërkohë që vendet e rajonit e kanë 40 euro për kilogram. Ministri i Financave Bode ka deklaruar se kjo nuk është rritja e fundit.

Ridvan Bode: “Rritjet janë simbolike, janë të vogla por në mënyrë graduale me përmirësimin e administrimit. Ne do të shkojmë drejt bërjes së këtyre niveleve të akcizave të barabarta me ato vendet e tjera të rajonit në periferi me ne në mënyrë që mos të kemi arbitrazhe në qarkullimin e mallrave brenda hapësirës Ballkanike dhe mandej më gjerë”.

Parimi, heshtja është miratim, do të gjeje zbatim edhe në rimbursimin e TVSH-së ndaj bizneseve duke i dhënë kështu zgjidhje një problemi shqetësues të këtij komuniteti.

“Ne do të arrijmë të arrijmë të bëjmë rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për bizneset brenda 30 ditëve kalendarike. Dhe në këtë ligj është futur koncepti i pranimit në heshtje. Në qoftë se administrata nuk do të rimbursojë tatimin mbi vlerën e shtuar, atëherë automatikisht biznesi është i kredituar. Pra do ta kompensoj pagesën e këtij detyrimi me mospagesën e detyrimeve të tjera tatimore vijuese”.

Parlamenti kaloi edhe rritjen e  tatimit mbi lojërat e fatit, çka i sjell buxhetit 3 miliardë lekë më shumë të ardhura në vit, ndërkohë që rregullon dhe tregun kaotik të këtij biznesi në vend.

Ridvan Bode: “Ne vitin e kaluar ndërmorëm një përmirësim të dukshëm në politikat fiskale që kishim të bënin me lojërat e fatit. Rritëm nivelin e disa taksave, kjo politikë dha rezultatet e duhura, u pakësua numri i njësive me rreth 30%, u rrit niveli i të ardhurave nga lojërat e fatit me 50% brenda këtij viti, por nga ana tjetër vijojnë të mbeten të shpërndara dhe ende shumë të përhapura lojërat e fatit dhe po ta vini re Shqipëria mund të mbaj kampion në të gjitha vendet periferike po dhe më gjerë, për numrin e madh të njësive që ushtrojnë këtë lloj industrie. Ne bëjmë një hap tjetër, këtë që kemi sjell sot dhe mendojmë që përmes kësaj mase kjo industri gjithnjë e më shumë do të jetë më transparente, do funksionojë më transparente lojtarët, klientët do të jenë më të mbrojtur”.

Ndryshimet e tjera te miratuara, ishin edhe reduktimi , 0.5% të taksës së ndikimit në infrastrukturë për personat në proces legalizimi, si edhe taksa për tabele, ku për bashkinë e Tiranës do të aplikohet niveli 45 mijë lekë për metër katror dhe 13-22 mijë lekë për metër katror në bashkitë e tjera. Me 73 vota pro dhe asnjë kundër parlamenti miratoi në tërësi edhe ndryshimet në buxhetin e vitit 2009./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro