Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Tekstet shkollore të historisë dhe letërsisë do të rishikohen. Kjo gjë është sanksionuar në një protokoll të 3 prill të 2003, mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke, protokoll ky që ligjëron ngritjen e një grupi të përbashkët ekspertësh shqiptaro-grek, të cilët sipas ministrisë greke të arsimit, do të diskutojnë heqjen nga tekstet e historisë të palës shqiptare të pasaktësive dhe ngjarjeve, që sipas palës greke, helmojnë marrëdhëniet dypalëshe.
Edhe pse një marrëveshje tepër e rëndësishme e nënshkruar nga kryeministri shqiptar në Athinë, e që do të ndikojë në ndryshimin e historisë së vendit tonë, ajo ka kaluar pa bërë bujë, derisa vjen reagimi i akademikëve shqiptarë.
Jorgo Bulo: “Vetë fakti që paragjykohen këto tekste, mua më tingëllon se këtu ka një prirje të caktuar, nuk besoj se tekstet tona kanë elemente të tilla që helmojnë marrëdhëniet midis dy shteteve. Unë nuk do të isha për ndryshime të diktuara nga konjukturat politike të marrëdhënieve midis dy shteteve tona aktualisht. Në qoftë se mes këtyre dy shteteve ka pasur disa periudha historike të caktuara, e vërteta historike duhet të respektohet, pavarësisht se mund të jetë e hidhur në momente te caktuara të historisë.”
Ndërkohë, tekstet e historisë dhe të letërsisë, në të gjithë sistemin arsimor shqiptar, janë ribërë vetëm përpara tri vjetësh./tvklan.al
Gazetare: Mimoza Koçiu