Gjermani lë pas Spanjën, Shqipëria mes jo favoritëve
Me kompletimin e grupeve të Euro2024 kanë nisur parashikimet për fituesin e turneut. Pasi arriti deri në finalen e madhe të edicionit të shkuar, Anglia konsiderohet si favorit i madh për të ngritur lart trofeun. “Tre Luanët” do të provojnë që të jenë kompetitiv falë edhe pjekurisë së sulmuesit kryesor Harry Kane.
Shanset e triumfit në Euro2024 të bomberit të Bayern Munich me shokë luhaten rreth 22% të shanseve. Anglia nuk duhet ta ketë problem të kalojë edhe grupin me Serbinë, Slloveninë dhe Danimarkën.
Kandidat tjetër i madh për fitore janë nënkampionët e Botës, Franca. ‘Gjelat’ janë në një grup me Holandën, Poloninë dhe Austrinë, gjithsesi besimi për tu shpallur kampion i Europës është 22%. Më pas gjendet Gjermania, mikpritëse e turneut.
Fitorja pikërisht ndaj Francës dhe Holandës ka shtuar besimin e tifozëve tek kjo kombëtare. Suksesi i skuadrës së Nagelsmann konsiderohet me rreth 14%, teksa nuk do ishte problem kalimi përtej grupit me rivalë si Skocia, Hungaria dhe Zvicra.
Spanja rivali i Shqipërisë në fazën e grupeve gjendet vetëm i katërti në këtë renditje, me kompanitë që e vlerësojnë fitoren e iberikëve me 13%. Në letër Shqipëria nuk gjendet në mesin e kombëtareve pretendente për të fituar trofeun, gjithsesi fusha shpresojmë që të tregojë të kundërtën.
Kuqezinjtë janë më pak të kuotuar për të fituar Europianin mes 24 kombëtareve pjesëmarrëse.
Klan News