Lajme Arkiva 2003

Kryetari i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve lokale për OSBE-ODIHR, Robert Barry, ka vizituar kryeqytetin shqiptar, pak ditë përpara përsëritjes së votimeve në 118 qendra në Tiranë. I shoqëruar edhe nga ambasadori i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Osmo Lipponen, Barry ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka bërë të ditur vazhdimin e monitorimit , në zgjedhjet e 28 dhjetorit, të përbërë kryesisht nga vëzhgues të prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Do të kisha një mesazh për të gjithë faktorët politik shqiptar dhe për KZQV-të apo Komisionet e Qendrave të Votimit që do të jenë aktive në këto zgjedhje të pjesshme ka thënë Barry, që këto përsëritje zgjedhjesh në Tiranë, duhet të bëhen në mënyrë profesionale sepse duhet të ishte në dëm të vetë shqiptarëve nëse edhe këtë herë do të kemi zgjedhje të stërzgjatura dhe të stërholluara.

Është turp ka thënë Barry që pas një fushate elektorale të kulturuar, të kishim një mënyrë numërimi të votave që mund të quhet diçka mes paaftësisë kabotazhit dhe një mënyrë pune të qëllimshme nga ana e komisionerëve.

Barry ka theksuar se misioni që ai drejton ka konstatuar probleme të mëdha në listat e votuesve,  por deri më tani ai tha se nuk ka patur prova të mjaftueshme për të vërtetuar nëse ato janë manipuluar politikisht apo janë thjesht gabime të një sistemi të gjendjes civile shqiptare tepër të amortizuar.

Gabimet e listave ka vazhduar Barry prekin të gjitha partitë politike dhe të gjithë votuesit dhe  ne nuk kemi akoma afate nëse këto gabime kanë prekur më shumë partitë e veçanta.

Me gjithë atë sipas tij, listat e votuesve pothuajse gjithmonë kanë pasur probleme me zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri dhe kjo sjell si kusht përmirësimin e zyrave të gjendjes civile në vend,  që sipas Barryt, kërkon shumë kohë dhe para për tu realizuar.

Robert Barry: “Ne akoma nuk e kemi nxjerrë raportin përfundimtar të zgjedhjeve lokale në Shqipëri dhe kjo për faktin se procesi zgjedhor akoma nuk ka përfunduar. Perfeksionimi i sistemit zgjedhor është në një nga kushtet që Shqipëria duhet të plotësoj për të vazhduar rrugën e integrimit të saj në Bashkimin evropian prandaj shpresojmë që kapitulli i zgjedhjeve lokale të mbyllët këtu dhe të mos shkoj më gjatë”./tvklan.al