Me një rezultat surprizë Robert Çeku është zgjedhur nga parlamenti kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit duke lënë me gojë hapur drejtuesit e opozitës. Numri rekord i votave ka dëshmuar edhe një herë se sa të vështirë e ka opozita të kontrollojë rrjedhjen e kartonave kundër vendimeve të saj politike.
Me gjithë qëndrimin e prerë të kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe atij republikan Fatmir Mediu, Çeku, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë, u zgjodh në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, jo vetëm me votat e socialistëve. Duke dashur të krijojë idenë se grupi demokrat është kompakt ka reaguar menjëherë pas votimit lideri demokrat Berisha.
Sali Berisha: “Asnjë votë e Partisë Demokratike nuk është votë pro në mënyrë kategorike absolute. Natyrisht afera Çeku kishte dhe çekistë. Partia Demokratike, të gjitha votat e saj dhe të Partisë Republikane, shkoni dhe numërojini, janë kundër, por afera çeku u zgjidh me çekistë. Tani ju jeni të rinj dhe nuk e dini çfarë janë çekistët, lexoni një literaturë që s’keni nevojë ta lexoni fare, është një aferë çekiste.”
Gazetarja: “Po si shpjegohet kaq shumë vota zoti Berisha?”
Sali Berisha: “Sepse votuan çekistët, votuan çekistët e grupeve të tjera.”
Gazetarja: “Mund të ketë pasur edhe brenda grupit të Partisë Demokratike?”
Sali Berisha: “As edhe një. Me garanci absolute asnjë. As nga Partia Republikane.”
Parlamenti ka votuar gjithashtu me 67 vota pro, 46 kundër dhe 2 abstenime Ardian Fullanin në postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Fatos Lulon anëtar në Këshillin Kombëtar të Radiotelevizioneve me 88 vota pro dhe Vjollca Meçen anëtare në Gjykatën Kushtetuese me 76 vota pro. /tvklan.al