Helikopteri i pronarit të ekipit anglez të futbollit Leicester, u rrëzua në një parking makinash jashtë stadiumit. Presidenti i Leicester, Vichai Srivaddhanaprabha ishte në bordin e helikopterit kur ky i fundit u ul në stadium mbrëmjen e së shtunës për ndeshjen e Premier League, Leicester-West Ham.
Rreth 1 orë pas përfundimit të ndeshjes, helikopteri u ngrit por u rrëzua jashtë stadiumit. BBC raporton se nuk është e qartë se kush ishte në bord, dhe mbi të gjitha nëse ishte vet presidenti i klubit. Zyrtarisht nuk ka asnjë informacion të konfirmuar. Dëshmitarët thanë se helika e bishtit nuk po funksiononte. Një tjetër dëshmitar i ngjarjes tha se kishte parë lojtarin e Leicester, Kasper Scheimechel, që të vraponte jashtë stadiumit drejt zonës ku u rrëzua helikopteri.
Zëdhënësi i zjarrfikësve e përshkroi ngjarjen tepër tragjike, por bëri thirrje që të mos jepet asnjë informacion i nxituar rreth shkaqeve apo cilët persona kanë qenë në bord. Miliarderi Vichai Srivaddhanaprabha është një biznesmen nga Bangkok i Tajlandës. Ai themeloi King Power Duty Free në vitin 1989. Sipas Forbes, pasuria e tij është 3.8 miliardë Paund dhe është njeriu i pestë më i pasur në Tajlandë. Vichai Srivaddhanaprabha bleu klubin anglez Leicester për 39 milionë Paund.
/tvklan.al