Kriza politike thellohet dhe Franca mbetet pa qeveri. Ajo humbi votëbesimin në Parlament. Kryeministri Michel Barnier u rrëzua me votat e partive të majta dhe të djathta ekstreme që u bashkuan për mbështetur mocionin e mosbesimit. Kjo është hera e parë që nga viti 1962 që qeveria franceze rrëzohet me një mocion mosbesimi.

Mocioni kaloi me 331 vota. Për të kaluar mocionin e mosbesimit nevojiteshin të paktën 288 vota. Deputetët nuk mund të votonin kundër, por vetëm pro ose abstenim.

Udhëheqja e kryeministrit Michel Barnier u vu në pikëpyetje pasi përdori kompetenca të veçanta kushtetuese për të kaluar buxhetin pa votë.

Éric Coquerel, i së majtës radikale dhe Marine Le Pen, e Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë e akuzojnë Barnierin për mos marrjen parasysh të amendamenteve buxhetore

Laurent Wauquiez i republikanëve deklaroi se e majta dhe e djathta po zgjedhin kaosin mbi përgjegjësinë. Vetë Barnier tha se problemet e Francës me borxhin nuk do të zhduken edhe nëse ai shkarkohet.

Më vonë në televizion, politikania e ekstremit të djathtë Marin Le Pen tha se tani edhe Macroni duhet të bëjë gati dorëheqjen.

Tani presidenti Emmanuel Macron duhet të bëjë një zgjedhje. Tre burime i thanë agjencisë Reuters se presidenti synon të emërojë shpejt një kryeministër të ri përpara ceremonisë për rihapjen e Katedrales Notre-Dame të shtunën.

Çdo kryeministër i ri do të përballet me të njëjtat sfida si Barnier në votimin e projektligjeve, përfshirë buxhetin e vitit 2025. Gjithsesi, nuk mund të ketë zgjedhje të reja parlamentare përpara korrikut.

Një mundësi tjetër është që Macron t’i kërkojë Barnier-it dhe ministrave të tij që të qëndrojnë në detyrën e kujdestarit, ndërkohë që ai merr kohë për të gjetur një kryeministër me mbështetje të mjaftueshme ndërpartiake.

Klan News