Sot është zhvilluar edhe mbledhja e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, ku u diskutua projektligji për Shtetësinë, i miratuar në seancën plenare të 21 Shtatorit 2023.


Ministri i Brendshëm Taulant Balla u kërkoi kolegëve të opozitës që ta votojnë të Enjten në Kuvend, pasi sipas tij disa ndryshime në dekret do të bëjnë të mundur zgjidhjen e shumë problemeve që qytetarët kanë. Ai theksoi se do rishikohen edhe pikat në të cilat Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka shprehur shqetësim. Sipas këtij të fundit, drafti është kaluar pa numrin e duhur të votave, ndërkohë që sipas Kushtetutës nevojiten 84 kartonë jeshilë. (Lexo më shumë)

-Theksojmë se me “shtesat e ndryshimet” e miratuara ndryshoi përmbajtja e 8 neneve të ligjit bazë.

Në mbyllje të diskutimeve u votua pro miratimi i dekretit të Begajt për këtë ligj.

Taulant Balla: Konventa Europiane për Shtetësisë ka në thelbin e vet orientimin e çështjeve të shtetësisë me ligj të brendshëm, në varësi të faktorëve të brendshëm. Me ligj parashikohet që çdo shtet palë do të lehtësojë në të drejtën e tij të brendshme fitimin e shtetësisë së tij për personat që kanë lindur në territorin e tij dhe qëndrojnë aty ligjërisht, edhe në mënyrë të vazhdueshme.

Ferdinand Xhaferraj: Bini dakord apo jo me shqetësimin e presidenti?

Taulant Balla: Presidenti si autoritet kushtetues dhe ka shprehur disa shqetësime. Shqetësimi sa i përket mungesës së kuorumit duhen marrë parasysh dhe duhen pranuar. Sa kohë ka vullnet politik që ne t’i kthehemi në Kuvend dhe t’i votojmë. Po jap disa shpjegim sa i përket një momenti që ka konstatuar presidenti për të sqaruar deputetët…Janë dy shtetas me shtetësi të huaj që jetojnë e punojnë prej vitesh në Shqipëri dhe fëmija e tyre, me pëlqimin e tyre aplikon për të marrë shtetësinë shqiptare, ka lindur në Shqipëri. Unë ju citova që ka bërë Konventa që ne e kemi miratuar. Ju zoti Xhaferri keni qenë deputet në 2022-in kur e keni votuar.

Ferdinand Xhaferraj: Të flasin ata, se s’ua kemi dhënë fjalën herë tjetër.

Nasip Naço:lutem më i përmbajtur zoti Xhaferri, më i vëmendshëm…

Taulant Balla: Unë e di që e kemi bërë sqarimin. Ky sqarim është bërë nga presidenti, unë bëra thjesht një hyrje për ta simplifikuar si nevojë. Edhe ju vetë personalisht keni plot raste, shqetësime të qytetarëve që jetojnë prej 10, 15, 20 vitesh në Shqipëri dhe duan që fëmija të pajiset me pasaportë shqiptare, kjo gjëja nuk e lejon. Dua t’ju sqaroj se të gjitha ndërhyrjet që kemi propozuar janë për të zgjidhur halle që konstatohen në punën tonë të përditshme. Qoftë për moshën, vitet e qëndrimit në Shqipëri, të jeni të bindur se ne kemi një qasje që i afrohet legjislacionit shqiptar me praktikat më të mira të Konventës apo Këshillit të Europës. Do të kërkoja t’i tejkalojmë dallimet tona politike në këtë rast, siç u shprehëm në parim, edhe në votimin e ditës së Enjte nëse është e mundur, që ta bëjmë këtë gjë të mundur.

Nasip Naço: T’i japim fjalën përfaqësuesit të presidentit zoti Rusmajli. Do ja jap se e kam këtu…

(Flet Xhaferri)

Ferdinand Xhaferraj: Nuk je shquar për sens batute. Këtë frikën se do ikim apo jo, nuk po të kthej përgjigje.

Përfaqësuesi i Presidencës, Ilir Rusmajli: Ne vetëm koment parimor mund të bëjmë. Jemi të kënaqur që ka vullnet të ministrit për të zbatuar shqetësimin tonë kushtetues. Dhe për ta shtruar në kuvend çështjen që ne kemi. E konsiderojmë këtë çështje të rëndësishme. Atje ku kushtetuta kërkon vullnet me shumicë të cilësuar duhet të jetë në të gjithë trupën e ligjit, nenet dhe në parim dhe tërësi. Fakti që disa nene nuk e kishin këtë, u përcaktua si vërejtje e drejtë. Ngjarja e fundit është ajo e Sekretariatit të Procedurave. Kemi dhënë disa sugjerime. Që janë çështje e arsyetimit tuaj, debatit të brendshëm. Mendojmë se duhet të ketë harmoni me Parimet e Konventës Europiane. Ka nevojë për sensibilizim. Për atë që është kushtetuese jemi të kënaqur që shohim këtu vullnetin për ta pranuar rezervën.

Nasip Naço: Ftoj kolegët për deputetë për ta votuar. Është në përputhje me nenin 86 të rregullores së Kuvendit. Të hedhim në votim dekretin e Kuvendit, për kthimin e ligjit për shtetësinë. E hedhim në parim. Miratohet. Pranohet dekreti i presidentit të republikës./tvklan.al