Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se Izraeli e ka pranuar pjesërisht marrëveshjen
Ndërmjetësuesit për luftën Izrael Hamas janë mbledhur në Kajro për të kërkuar një armëpushim të shumëpritur në Gaza.
Një zyrtar amerikan i tha BBC-së se Izraeli e ka pranuar pjesërisht marrëveshjen. Pauza gjashtëjavore pritet të sjellë lirimin e më shumë pengjeve si dhe dërgesat e menjëhershme në enklavën e shkatërruar dhe në prag urie.
Në fillim të kësaj jave presidenti amerikan bëri të ditur se një armëpushim do të hyje në fuqi në muajin mysliman të Ramazanit, i cili fillon më 10 mars. Shpresat për pauzën e parë u rritën javën e kaluar pas një raundi të mëparshëm bisedimesh të ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti në Doha dhe indikacioneve nga SHBA-ja se marrëveshja ishte afër.
Presioni për një marrëveshje u intensifikua pas incidentit të së enjtes në veri të territorit, ku të paktën 112 njerëz u vranë ndërsa turmat nxituan një kolonë ndihmash. Hamasi ka akuzuar Izraelin se ka qëlluar mbi civilët teksa ata përpiqeshin të merrnin ushqim. Izraeli e ka mohuar këtë dhe se shumica e vdekjeve ishin shkaktuar nga përplasja e njerëzve me njëri-tjetrin.
Ndërkaq një avion ushtarak amerikan lëshoi 38,000 vakte ushqimore mbi Gaza, e para që nga nisja e luftës. Pjesa më e madhe e enklavës së drejtuar nga Hamasi është shkatërruar dhe më shumë se 30,000 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Luftimet u ndezën sërish në orët e para të së dielës, ndërsa banorët raportuan bombardime rreth Khan Younis, një qytet në Rripin jugor të Gazës. Rreth Rafahut, 25 njerëz u vranë kur një dron izraelit goditi një tendë pranë një spitali.
Klan News